Dita Ndërkombëtare e Maceve është një festë që zhvillohet çdo vit, më 8 gusht, e krijuar në vitin 2002 nga “Fondi Ndërkombëtar për Mirëqenien e Kafshëve”.
Pikërisht për këtë ditë, stafi i Radio KFOR-it zhvilloi një intervistë me Iliriana Blakaj, një adhuruese e maceve e cila ndau dashurinë e saj për macet dhe kujdesin e saj ndaj tyre:
“Pranë oborrit tim vijnë mace të ndryshme të cilat unë i strehoj dhe i ushqej. Këtë veprim e bëj prej kur kam qenë më e re dhe vazhdoj edhe tani. Unë kam adaptuar disa mace dhe njëra nga këto mace quhet ‘Hope’ dhe e kemi shpëtuar kur ishte vetëm 2 javë, për shkak se kishte rënë në një përrua dhe unë dhe familja ime e kemi ushqyer dhe jemi kujdesur për të, duke e mbajtur brenda në shtëpi”.
Iliriana po ashtu tregoi se macet kanë edhe veti shëruese sidomos në aspektet psikike dhe psikologjike, ato largojnë stresin dhe trajtojnë depresionin dhe ankthin.
‘Rrjeti Global i Ekologjisë’, vlerëson se ka rreth 600 milionë mace të vogla në botë.
Edhe ju mund ta festoni këtë ditë të veçantë, duke u bërë vullnetarë në një qendër shpëtimi, duke adaptuar mace apo thjesht duke i ushqyer.