Jo më kot thuhet se Humanizmi është treguesi më i mirë i vlerës së njeriut, pasi është pikërisht ky virtyt njerëzor përmes të cilit përfiton bota mbarë, posaçërisht ata që nuk gëzojnë kushte të mira ekonomiko-sociale.
Prandaj, sot (19 gusht) e gjithë bota shënon Ditën Botërore të Humanizmit, në të cilën diskutohet më shumë për bamirësinë në përgjithësi dhe të ndihmuarit e njëri-tjetrit.
Në Kosovë kemi Organizata të ndryshme Joqeveritare që për mision kanë të ndihmuarit e familjeve në nevojë, prej të cilave përfiton një numër i madh i tyre, duke u pajisur me kushte më të dinjitetshme për një jetesë normale.
E tillë është edhe Organizata Joqeveritare “Për familjet në nevojë”, e cila për qëllim ka gëzimin e familjeve, posaçërisht fëmijëve, të cilët padrejtësisht vuajnë në mungesë të kushteve më elementare për jetesë. Më shumë rreth idesë së krijimit të kësaj organizate dhe misionit të saj, na tregon Rina Zeka:
“Tash e 3 vite më parë e kemi formuar një grup të vogël por me mision të madh, me qëllim që t’i ndihmojmë familjet në nevojë. Duke pasur parasysh interesimin e familjarëve dhe shoqërisë tonë për të kontribuar në çfarëdo forme, menduam se do të ishte mirë që t’i informojmë edhe personat tjerë, të cilët kanë nxjerrë jashtë përdorimit veshmbathjet e tyre, apo kanë mundësi të ofrojnë edhe ushqime për këto familje. Përveç që po rritemi si grup, është rritur edhe numri i familjeve të cilat po i vizitojmë”, ka thënë për Radio KFOR-in, Rina.
Dita Botërore e Humanizmit këtë vit ka vendosur që të nderoj gratë dhe kontributin e tyre të padiskutueshëm për ta bërë botën një vend më të mirë