Ky është mesazhi i kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, për të gjithë qytetarët e kësaj komune, pas konfirmimit të rasteve të para pozitive me koronavirus:
“Siç e dini, Pandemia e koronavirusit është problem në gjithë globin, mirëpo edhe në Kosovë. Prandaj, është e rëndësishme që të respektojmë të gjitha masat e institucioneve shëndetësore, si Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHPK). Unë apeloj tek të gjithë qytetarët që në mënyrë rigoroze të mbajnë distancë sociale nga njëri – tjetri. Të ndalojnë tubimet, të rrinë në shtëpi sepse vetëm në këtë mënyrë mbrojmë familjen dhe shoqërinë tonë. Në Komunën e Prizrenit që nga fillimi i muajit mars kemi krijuar shtabin emergjent për koronavirusin, ku janë të përfshira të gjitha institucionet e Komunës së Prizrenit dhe në baza ditore kemi raporte për të gjitha aktivitetet që ndërmerren, që të implementojmë udhëzimet dhe masat e MSH-së dhe ISHPK-së. Drejtoria e Inspeksioneve po bën kontrollin e të gjitha bizneseve se a po aplikohen masat e ndërmarra dhe deri më tani nuk kemi pasur probleme të tilla. Shqetësuese është që ditëve të fundit për shkak të motit të mirë po ka më shumë qytetarë nëpër rrugë. Apeloj tek ta që t’i respektojnë rregullat dhe të qëndrojnë sa më pak jashtë, përveç kur duhet t’i kryejnë detyrat e tyre. Në mesin e masave që kemi ndërmarrë si komunë është edhe dezinfektimi i objekteve publike në komunë, por edhe objekteve të tjera gjithashtu. Në të njëjtën kohë, jemi munduar të pastrojmë edhe rrugët dhe ta kemi higjienën publike në nivelin sa më të lartë. Për shkak të rasteve sociale, po punojmë që të krijojmë edhe paketa ndihmëse për njerëzit në nevojë, si mjete higjienike që kemi shpërndarë deri më tani, por do të shqyrtojmë edhe mundësinë për shpërndarje të ushqimit gjithashtu.”