16 Nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, si shtyllë kryesore për një jetë më të mirë për të gjithë.
Ndërsa, pikërisht më 6 dhjetor të këtij viti (2019), bëhen plot 20 vite që kur përmes frekuencave të Radio KFOR-it u shpërndanë me qindra mesazhe pikërisht për tolerancën.
Përmes materialeve të përgatitura nga ekipi i Radios, tek dëgjuesit gjithandej Kosovës përçuam dhe shpërndamë mesazhe, të cilat ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie, në të cilën sundon paqja, toleranca dhe dashuria.
Misioni i Radio KFOR-it është që të prodhojë përmbajtje të besueshme që informon, edukon, argëton dhe i bën të gjithë njerëzit në Kosovë që të kujdesen dhe të respektojnë njëri – tjetrin, duke ndarë mes veti vlerat e një kulture të përbashkët multietnike.
E ky mision i Radios, dhe KFOR-it në përgjithësi është sinonimi më i mirë për tolerancën.
Dita Ndërkombëtare e Tolerancës u vendos me Deklaratën e Kombeve të Bashkuara më 16 nëntor të vitit 1995, në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s.
Ne do të ndajmë me ju një thënie të Helen Keller për tolerancën, duke shpresuar se nuk do ta harroni asnjëherë:
“Rezultati më i lartë i edukimit është toleranca”.