Glaukoma është një sëmundje optike që shkaktohet nga ndërtimi i lëngjeve në pjesën e përparme të syrit, gjë që rrit presionin brenda syrit. Glaukoma mund të çojë në humbje të shikimit nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet me kohë. Prandaj komuniteti dhe ekspertët shëndetësor shënojnë çdo vit ‘Javën e Glaukomës’, për të rritur vetëdijesimin ndaj kësaj sëmundjeje të syve, që mund të shfaq probleme të shumta dhe shpesh herë shfaqet pa simptoma, duke rrezikuar rëndë shikimin por duke shkaktuar edhe probleme të tjera.
Për rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i ka biseduar me oftamologun, Dr. Afrim Shabani: “Ende njerëzit nuk janë shumë të informuar se ka tension të syrit dhe matje të tensionit të syrit. Nëse tensioni i syrit rritet mund të shkaktojë probleme në sy. Glaukoma nganjëherë nuk paraqet simptoma që tregojnë që mund të keni këtë sëmundje, prandaj vizitat e shpeshta te mjeku i syve janë të nevojshme, sidomos te ata persona që kanë raste në familje me tension të rritur të syrit por edhe personat mbi moshën 40 vjeçare, mirëpo edhe personat që kanë diabet dhe tension të lartë të gjakut janë më të rrezikuar.”
Meqenëse humbja e shikimit për shkak të glaukomës nuk mund të rikuperohet, është e rëndësishme që të bëni ekzaminime të rregullta të syve që përfshijnë matje të presionit tuaj të syve. Nëse glaukoma zbulohet me kohë, humbja e shikimit mund të ngadalësohet ose parandalohet.