Data e sotme (17 tetor) përkon me ‘Ditën Botërore për Zhdukjen e Varfërisë’, e cila sipas Kombeve të Bashkuara, që nga viti 1993, ndërgjegjëson njerëzit për nevojën e zhdukjes së varfërisë në mbarë botën dhe veçanërisht në vendet në zhvillim.
Organizata të ndryshme jo qeveritare dhe komunitetet e bamirësisë, mbështesin këtë ditë, duke u bërë thirrje drejtuesve dhe qeveritarëve që në axhendën e tyre, lufta kundër varfërisë të ketë prioritet.
Meqenëse gazetarët dhe mediat jane zëri më i fuqishëm për luftimin e kësaj dukurie, Radio KFOR-i kontaktoi me gazetaren Kaltrina Rexhepi Dragusha, hulumtimi i së cilës, është vlerësuar me çmimin e parë “Dokumentari më i mirë Televiziv”, për luftimin e varfërisë.
Nga prizmi i një gazetareje, Kaltrina, varfërinë e përkufizon kësisoj:
“Çështja e varferisë është njëra ndër tematikat që kërkon më së shumti trajtim. Varfëria nuk është vetëm të kesh uri, apo mungesë vendbanimi, varfëri nënkupton të lësh fëmijet e pashkolluar, e shumë aspekte të tjera elementare për një jetë normale. Si pasojë e varfërisë vjen edhe dhuna në familje, me ç’rast gratë e keqtrajtuara nga burrat e tyre nuk kanë guxim të kërkojnë divorc, për shkak se s’kanë si t’i rrisin fëmijët e tyre, meqenëse nuk punojnë dhe nuk kanë pronë të trashëguar”, theksoi Kaltrina.
Kujtojmë që pikërisht sot e 39 vite më parë, nobelistja Nënë Tereza, është nderuar me çmimin”Nobel për Paqe”, për kontributin e saj të madh në zbutje të varfërisë.