E miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2013, përmes rezolutës A / RES / 68/192, 30 korriku u caktua si ”Dita Botërore kundër Trafikimit ” të Qenieve Njerëzore. Kjo rezolutë deklaroi se një ditë e tillë ishte e nevojshme për të rritur ndërgjegjësimin mbi gjendjen e viktimave të trafikimit njerëzor dhe për promovimin, mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Pra, kjo ditë ka për qëllim vëmendjen e shtuar ndaj vuajtjeve të numrit të madh të viktimave të trafikimit me njerëz, të cilët përballen me eksploatim seksual, punë të detyrueshme, robëri dhe tregti me organe.
Sipas përfaqësuesve të IOM-it, nga viktimat e mbijetuara të trafikimit me njerëz 74 % janë trafikuar me qëllim të punës së detyrueshme, ndërsa 17 % me qëllim të eksploatimit seksual. Rreth 13 % nga numri i përgjithshëm i viktimave të mbështetur të trafikimit me njerëz janë fëmijë, mosha mesatare e të cilëve është 11 vjet.
“Plani Global i Veprimit për Luftimin e Trafikimit me Njerëz”, u miratua në vitin 2010 dhe u kërkon qeverive në mbarë botën të marrin masa të koordinuara dhe të qëndrueshme për të mposhtur trafikimin e qenieve njerëzore në të gjitha format e tij. Plani i OKB-së bën thirrje gjithashtu për integrimin e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore në programet më të gjera të OKB-së për të nxitur zhvillimin dhe për të forcuar sigurinë në mbarë botën.