Sot globalisht shënohet ‘Dita e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë’, për të promovuar parandalimin e aksidenteve në punë dhe sëmundjeve në nivel global. Në këtë ditë, fushata ndërgjegjësuese synojnë të përqendrojnë vëmendjen ndërkombëtare në promovimin dhe krijimin e një kulture të sigurisë dhe shëndetit, duke ndihmuar në zvogëlimin e numrit të vdekjeve dhe dëmtimeve gjatë punës. Duke u përballur aktualisht me sfidën e madhe në luftimin e pandemisë COVID-19, janë stafi mjekësor dhe ekspertët shëndetësor të cilët janë më të rrezikuarit gjatë punës së tyre.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, doktoresha e përgjithshme në ‘Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare’ në Pejë, Agnisa Shala, tregoi vështirësitë me të cilat përballen në këtë kohë pandemie të përballjes me virusin COVID-19: “Sigurisht që pandemia na ka sjell në sfida dhe vështërsi edhe më të mëdha në menxhimin e situatës, duke marrë parasysh kushtet në të cilat punon stafi shëndetësor. Nuk kemi kohë të mendojmë a jemi të stresuar apo jo, a kemi rroba adekuate të cilat na mbrojnë nga virusi apo jo. Ne kemi pacientë të cilët kanë nevojë edhe për trajtime të ndryshme të sëmundjeve, jo vetëm ndaj pandemisë covid-19. Kjo na vështirëson edhe më shumë situatën, për shkak se tani është reduktuar stafi mjekësor i cili punonte në laboratore dhe ambulanta specialistike dhe janë fokusuar në reparte të ndryshme specialistike. Ne mjekët jemi të fundit të cilët mendojmë për sigurinë tonë personale duke i kushtuar gjithmonë vëmendjen shëndetit të pacientëve.”
Doktoresha Shala, apeloi për të gjithë punonjësit në këtë kohë, të kenë kujdes maksimal duke mbajtur higjienën personale, distancën sociale dhe duke respektuar të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore në vend.