Duke marrë parasysh numrin e madh të emigrantëve në gjithë botën, me 4 dhjetor të vitit 2000, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mori vendim që datën 18 dhjetori, ta shpallin ‘Ditë Ndërkombëtare të Migrantëve’. Po ashtu Kuvendi miratoi Koventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të të gjithë Punëtorëve Migrantë dhe Anëtarëve të Familjeve të tyre. Në këtë konventë theksohet se migrimi ndërkombëtar është një fenomen në rritje dhe se mund të jep një kontribut pozitiv në zhvillimin e vendeve të origjinës dhe vendeve të destinacionit, me kusht që të mbështetej nga politikat e duhura. Së dyti, theksohet se respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë emigrantëve është thelbësor për të përfituar nga migracioni ndërkombëtar.