Me qëllim të njohjes së kontributit dhe rolit që gratë nga zonat rurale kanë në komunitet, në përmirësimin e jetesës dhe mirëqenies në përgjithësi, sot (15 tetor) shënohet Dita Botërore e Gruas Rurale.
Kjo ditë për herë të parë u shënua me 15 tetor të vitit 2008, pasi përmes një rezolute, Kombet e Bashkuara në vitin 2007 njohën rolin jetik dhe kontributin e gruas rurale, për mirëmbajtjen e agrikulturës dhe zhvillimit rural, për përmirësimin e sigurimit të ushqimit dhe luftimit të varfërisë rurale.
Përkitazi me këtë çështje, nga perspektiva e Kosovës, na flet zyrtarja për komunikim dhe marrëdhënie me publikun në Swisscontact, znj. Linda Baleta, e cila mes tjerash theksoi:
“Qëllimi i kësaj dite është rritja e vetëdijesimit të popullsisë së përgjithshme për rolin që luajnë gratë dhe vajzat rurale në zhvillimin e jetës në aspektin social, ekonomik, madje edhe mjedisor. Kjo është edhe tema specifike e këtij viti, rolin që kanë ato në qëndrueshmërinë dhe përballjen me sfidat e ndryshimeve klimatike”, tha për Radio KFOR-in, znj. Baleta.
Gratë në zonat rurale duhet nderuar dhe përkrahur, pasiqë ato me punën e tyre përmirësojnë jetesën e popullsisë rurale.