Ajo mund të jetë vetëm 28 vjeçare, por gjatë këtyre viteve Selena Gomez, ka kaluar më shumë sfida sesa kalojnë shumë njerëz gjatë tërë jetës së tyre. Aktorja, këngëtarja dhe producentja ka triumfuar edhe në një ndërhyrje kirurgjike nga e cila varej jeta e saj. Përveç kësaj, Gomez është dashur të mbajë në balancë karrierën e saj në film dhe muzikë, përderisa edhe po përjetonte njërën nga ndarjet e dashurisë më publike në botë. Që nga viti 2009, vetëm deri në 2016-ën, Selena ka fituar më shumë se 23 çmime prestigjioze.
Përveç muzikës dhe filmit ajo është ndër personat më të popullarizuar edhe në rrjetin social Instagram, ajo u bë edhe personi i parë që arriti të ketë mbi 100 milion ndjekës, në këtë rrjet social kurse një postim i saj vlerësohet rreth 800 mijë dollarë. Paraqitja e saj e parë televizive ishte në serinë ”Barney & Friends ”, kur Gomez ishte vetëm 7 vjeçe, 5 vjet më vonë u paraqit edhe në serialin e famshëm “Suite Life of Zac and Cody“, kurse roli që i dha më shumë famë ishte kur ajo luajti në serialin për fëmijë ‘Wizards of Waverly Place”.
Në moshën 17 vjeçare, Selena u bë ambasadorja më e re e UNICEF-it, ndërsa në misionin e saj të parë, ajo udhëtoi drejt Ganës.
Selena Gomez gjithashtu mban shtatë rekorde Guinnes, e ndër to edhe për faktin që ka qenë aktorja më e pëlqyer në Facebook dhe si personi i parë që arrin 100 milion ndjekës në Instagram.