Ashtu si çdo sferë tjetër, pandemia e shkaktuar nga CoViD-19, ka dëmtuar rëndë edhe agrokulturën në nivel global. Kjo ka shkaktuar jo vetëm ndalje të prodhimit e shkurtim të vendeve të punës, por edhe çrregullim të zinxhirit të furnizimit. E paprekur nga kjo, nuk ka mbetur as fabrika për përpunimin dhe konservimin e perimeve ‘Apetiti’, në Krushë të Madhe. Kështu tregoi për Radio KFOR-in menaxheri i fabrikës ‘Apetiti’, Kujtim Hoti: “Gjatë pandemisë si çdo sektor e firmë tjetër edhe ne kemi qenë me frikën e infektimit të punëtorëve tanë me CoViD-19, prandaj edhe është dashtë që ta ulim kapacitetin e prodhimit, ku edhe filloi të bie shitja. Pjesa më e madhe e klientëve tanë janë jashtë Kosovës, por kemi edhe klientë vendorë, i furnizojmë diku 70 markete në vend, mirëpo gjatë pandemisë e kemi ulë sasinë e furnizimit. Për fat të mirë viti i pandemisë ka qenë viti i parë për ne që kemi filluar me eksport për në Gjermani, e tash jemi në vitin e dytë që eksportojmë edhe në këtë vend. Masat gjatë prodhimit janë respektuar maksimalisht.”
Derisa pandemia vazhdon, funksionimi i vazhdueshëm i zinxhirëve të furnizimit me ushqim është vendimtar në parandalimin e një krize ushqimore dhe zvogëlimin e ndikimit negativ në ekonominë globale. Përgjigjet e koordinuara të politikave janë të nevojshme për të mbështetur agrobiznesin, jetesën dhe kushtet e punës së miliona punëtorëve bujqësorë, në përputhje me standardet përkatëse ndërkombëtare të punës.