Gjatë javës së ardhshme në teatrin “Istref Begolli”, në Pejë do të shfaqet premiera “Të jesh nënë”, nga autori Italian, Roberto Bracco, i cili njihet si letrar i madh në fillim të shekullit njëzet.
Për të mësuar më shumë rreth kësaj shfaqje, Radio KFOR-i kontaktoi regjisoren e mirënjohur, Sevdije Ajeti, e cila tregoi se drama trajton aspektin e lirisë së individit, në raport me kërkesat e shoqërisë dhe më tutje shtoi:
“Në këtë shfaqje trajtohen konfliktet mes bashkëshortëve, siç janë në këtë rast Alfredi dhe Klaudia. Do të thotë kemi një situatë dramatike, që janë të mbushura me tension e që krijojnë personazhet mes tyre. Kjo atmosferë është zhvendosur në skenë në mes të komikes dhe tragjikes në fund. Unë mendoj se janë të mirëseardhur të gjithë ata që dëshirojnë ta shohin këtë shfaqje, sepse mund të shohin flijimin e një gruaje e cila është në gjendje të flijohet si nënë për fëmiun e saj, tregon dashurinë e madhe që ka ajo ndaj fëmiut dhe se çka është në gjendje ajo të bëjë për fëmiun.”
Kjo ishte vetëm një pjesë e shfaqjes “Të jesh nënë”, në regji të Sevdije Ajetit. Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë: Aida Alidemi, Flormend Shabaj, Agon Bala, Faik Zekaj , Shpresa Salihaj, Fitore Broqi, Herodita Ramshaj dhe Luan Daci.