Kosova Young Lawyers (KYL) do të organizojë nesër, 14 shkurt, një sesion informues në të cilin përfaqësuesit e organizatave joqeveritare për të rinj do të kenë mundësinë që të informohen rreth projektit “Exchange It”.
Sesioni informues me organizata do të mbahet nga ora 09:30 deri në orën 12:00, në Forumin për Iniciativa Qytetare, i cili gjendet në Lagjen “Pejton” në Prishtinë. Radio KFOR-i ka kontaktuar kordinatorin në Kosova Young Lawyers, Liridon Shurdhanin, i cili ka treguar qëllimin e mbajtjes së këtij sesioni informues dhe ka dhënë informata të tjera për projektin “Exchange It”: “Sesioni informues ka për qëllim për të kuptuar më shumë informata rreth dy trajnimeve të planifikuara brenda projektit për organizata rinore, mundësi për të qenë pjesë e projekti, si dhe për përftime nga pjesëmarrja në projekt. Trajnimi i parë do të mbahet në Serbi për organizata fillestare në shkëmbime rinore, ndërsa trajnimi i dytë më i avancuar mbahet në Greqi. Aplikimi në këtë projekt është i hapur për krejt organizatat në Kosovë. Qëllimi kryesor i këtij projekti është që të targetojë organizata të cilat do të organizojnë shkëmbime rinore dhe duke i ngritur kapacitetet e tyre përmes trajnimeve të specializuara, duke iu ofruar këshilla nga mentorët, rrjetëzime me organizata të tjera dhe duke përdorë një platformë të veçantë, e cila do të krijohet për shkëmbimet rinore. Pra, do të mbështesim programe për shkëmbimin e të rinjve, përkatësisht rritjen e kapaciteteve të organizatave se si të organizojnë shkëmbime rinore, menaxhim me financa të projekteve e të tjera. Gjatë implementimit të projekteve të kaluara, ne kemi kuptuar se bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi janë procese të cilat na duhen shumë dhe mund të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet.” Z. Shurdhani gjithashtu bëri të ditur se ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Programit “Erasmus +”, i cili implementohet në bashkëpunim me gjashtë organizata të tjera nga Kosova, Serbia, Maqedonia, Greqia, Spanja dhe Bosnja.