‘Dita Botërore e Tuberkulozit’ shënohet çdo vit, në datën e sotme, 24 mars dhe ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për pasojat e rënda shëndetësore, sociale dhe ekonomike të Tuberkulozit si dhe rritjen e përpjekjeve për t’i dhënë fund epidemisë botërore të tuberkulozit.
Për shënimin e kësaj dite, Radio KFOR-i kontaktoi pulmologen Dr. Rukije Mehmeti, e cila në lidhje me këtë sëmundje, pohoi: “Krahasuar me vitet paraprake në Kosovë, numri i të sëmurëve me Tuberkuloz (TB) është zvogëluar, ndoshta si pasojë e situatës me virusin Covid-19, sepse të sëmurët me TB, duke qenë të frikësuar nga infektimi me virusin corona, kanë hezituar dhe vazhdojnë të hezitojnë të bëjnë kontrollet rutinë apo ato diagnostike. Unë inkurajoj të gjithë, që të kryejnë kontrollet e nevojshme, në mënyrë që me kohë të marrin trajtimet e nevojshme.”
Tema e sivjetme e ‘Ditës Botërore të Tuberkulozit’, është ‘Ora po troket’, duke pasqyruar faktin se bota po mbaron kohën për të vepruar në lidhje me angazhimet për t’i dhënë fund kësaj sëmundjeje.