“Duke qenë se radio të ofron magjinë, të cilën nuk mund ta bëj asnjë mjet tjetër i komunikimit, vendosa të merrem me këtë profesion dhe të jem edhe unë zëri, me të cilin udhëtoni, punoni dhe jetoni çdo ditë të jetës suaj, në momente hidhërimi e në momente gëzimi.
Më duhet ta pranoj, sfidë për mua mbetet zgjimi në orët e hershme të mëngjesit, mirëpo me tu takuar me mikrofonin e artë e filloj vallëzimin nëpër fjalë, nëpër tingujt, të cilët ju shoqërojnë kudo që jeni dhe bashkë udhëtojmë nëpër emisione të ndryshme që Radio KFOR-i i servon për ju dhe argëtimin tuaj.
Porositë tuaja pozitive karshi nesh dhe dëgjueshmëria e madhe që kemi gjithandej vendit e jashtë tij, janë shpërblimi dhe motivi më i madh për punë të mëtutjeshme në shërbim tuajin.
Edhe pse nuk takohemi, e aq më pak njihemi personalisht, ne tashmë jemi mishëruar mes vete dhe takimet tona të çdo ditshme na mbajnë larg realitetit, i cili ndonjëherë mund të jetë edhe i hidhur.
Bashkë ngushëllojmë njëri-tjetrin kur jemi të mërzitur, njësoj siç duartrokasim njëri-tjetrin në suksese. Prandaj, miq e dashamirë, të vazhdojmë të mbajmë qëndrim njerëzor e fisnik dhe të tregojmë dashuri të thellë ndaj të gjithë njerëzve pa dallime, sepse fundja, ky është edhe misioni i Radio KFOR-it.”