Me nismën e Organizatës joqeveritare “Save the Children in Kosovo”, është duke vazhduar realizimi i aktivitete të ndryshme online për fëmijë dhe prindër, në këtë kohë pandemie.
Të shumta janë projektet që tashmë janë jetësuar e që po vazhdojnë të realizohen, mirëpo për më shumë detaje rreth tyre, për Radio KFOR-in tregoi koordinatorja e programit në ‘Save the Children’, Genta Gagica Binxhija: “Kemi mbështetur MASHT-in në krijimin e platformës për fëmijët e grup moshës 0-6 vjeç dhe po ecë shumë mirë, ku ka pasur mbi 500.000 përdorues deri më tani. MASHT-in e kemi mbështetur po ashtu në krijimin e platformës për fëmijët me nevoja të veçanta, kemi krijuar platformën ‘Kids Tap’, ku fëmijët mbajnë kuize çdo javë, me tema të ndryshme si dhe kemi organizuar sesione trajnuese/informuese për prindër dhe kujdestarë lidhur me ushqyerjen e fëmijëve si dhe aktivitete stimuluese për ta”, tha zonja Gagica Binxhija.
Ajo po ashtu shtoi se deri më tani përmes këtij programi, janë shpërndarë 323 pako për fëmijët e moshave 0-6 në viset rurale, me materiale didaktike, libra, lojëra dhe produkte higjienike, 100 pako për fëmijët me nevoja të veçanta, po ashtu me materiale didaktike, libra, lojëra dhe produkte higjienike.
Fëmijëve gjithashtu u janë ofruar video dhe materiale të ndryshme vetëdijesuese, me moton “rriN’shpi” si dhe informata lidhur me mbrojtjen nga virusi ‘covid 19’.