Jemi vetëm në 10 ditshin e parë të vitit 2021 dhe dy gjigantët e telefonave të mençur, premtojnë se këtë vit do të punojnë fortë, për të sjellë në duart e klientëve telefona me shumë specifika të reja.
E nisim me kompaninë Apple, nga ku dolën informacione se dy prototipa të ndryshëm të iPhone, tanimë kanë kaluar kontrollet e para të cilësisë. Është furnizuesi Foxconn, i cili ka testuar disa dizajne për një iPhone të palosshëm, ku dy nga ta kaluan kontrollin e parë zyrtarë. Prej kohësh është përfolur se Apple po punon në një iPhone të palosshëm dhe siç bëhet e ditur, njëri është një telefon inteligjent që mund të paloset në mes, i ngjashëm me Samsung Galaxy Z Flip, ndërsa tjetri supozohet të jetë me dy ekrane të lidhura.
Nga ana tjetër, Samsung bënë të ditur se më 14 janar, do të prezantojë telefonin më të ri inteligjent, Galaxy S21. Bashkë me informacionin e lansimit, kanë dalë edhe detaje të modelit të ri, ku ndër të tjera thuhet se Samsung mund të bëjë të njëjtën gjë sikurse Apple, të paketojë telefonin pa karikues, mirëpo aty do të përfshihet vetëm një kabllo USB-C.
Kujtojmë që Apple erdhi pa karikues për herë të parë me modelin iPhone 12.