Nesër, më 1 korrik, duke filluar nga ora 20:00, në teatrin e qytetit të Gjakovës ‘Hadi Shehu’, do të jepet premiera e shfaqjes së titulluar “Sakati nga Inishmani”. Lidhur me këtë shfaqje, Radio KFOR-i ka kontaktuar regjisorin Shkëlzen Berisha, i cili na shpalosi detaje të përmbajtjes së saj: “ Shfaqja është një nga tekstet moderne, një ‘komedi e zezë’ ose një lloj satire komike dhe e cila është një nga tekstet më të njohura të dramaturgjisë moderne, të autorit të njohur irlandez, Martin McDonagh. Shfaqja ka të bëjë me një eksplorim të thellë, të gjallë të natyrës njerëzore dhe marrëdhënieve shoqërore. Njerëzit që marrim pjesë në këtë shfaqje apo personazhet e saja, janë plot motive të përziera duke përdorur shpeshherë edhe dashamirësinë e herë ligësinë, duke gjurmuar të vërteta por shpeshherë duke hamendësuar edhe të paqena.”
Ngjarja është r vendosur në një ishull-fshat, në brigjet perëndimore të Irlandës, të vitit 1934, ndërsa po aty afër gjendej një ishull, që është pak më i madh dhe më pak i izoluar se ky, atje ku edhe ndodhë ngjarja, në të cilin ishull kishin ardhur një ekip amerikan për të filmuar një dokumentar dhe këtu është pika e kthesës për zhvillimin e ngjarjeve që pasojnë.
Ndryshe, siç ka njoftuar zyrtarë nga teatri i Gjakovës ‘Hadi Shehu’, duke respektuar masat e dala nga institucionet shëndetësore për shkak të pandemisë së COVID-19, numri i publikut do të jetë nën kontroll dhe do të jetë i limituar.