Shkaktari kryesor i aksidenteve në rrugë është mosrespektimi i shenjave të komunikacionit. Përdormi i telefonit, tejkalimi i shpejtësisë mbi limitin e lejuar, mosrespektimi i këmbësorëve, mos vendosja e rripit të sigurisë, janë vetëm disa nga shkeljet e vazhdueshme që bëjnë ngasësit e veturave në baza ditore.
Për të biseduar rreth rregullave të komunikacionit, radio KFOR-i ka kontaktuar, instruktorin e Autoshkollës “Instruktori”, Hysen Hyseni, i cili thotë:
“Kemi aksidente të shumta të përditshme, e që disa fatkeqësisht po përfundojnë me fatalitete. A i respektojnë apo jo rregullat e komunikacionit, ajo dihet, se nëse i kishim respektuar rregullat e komunikacionit atëherë nuk do të kishte ardhur deri te fatkeqësitë. Duke marr parasysh rrethanat dhe kushtet në të cilat jemi për momentin, nuk janë duke u respektuar rregullat sa duhet, mirëpo këtu ndikojnë shumë faktorë, e kemi faktorin veturë, faktorin rrugë, faktorin njeri. 85% të rasteve të aksidenteve fajtor është faktori njeri, ndërsa vetëm 15% vijnë nga faktori veturë dhe faktori rrugë”, kështu tha z. Hyseni dhe poashtu kishte edhe një mesazh për të gjithë pjesëmarrësit në trafik:
“Çdo shofer, duhet të dijë e të mendojë së pari se mbanë përgjegjësi për vetveten, për udhëtarët që i ka në automjet, por mbanë përgjegjësi edhe për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, prandaj të mos të ngutet, të jetë i vetëdijshëm, ta dijë se është në rrugë dhe mund të vijë deri te pasojat, nëse i mendon pasojat, nuk vjen deri te aksidenti”.
Si në gjithë botën edhe në vendin tonë ndërmerren fushata të ndryshme për të vetëdijesuar pjesëmarrësit në komunikacion. Pavarësisht përpjekjeve, numri i lartë i aksidenteve vazhdon të jetë shqetësues. Andaj, mos harroni që gjithmonë ‘është më e mirë të arrini në destinacionin tuaj me vonesë, sesa të mos arrini kurrë’, dhe mos harroni që është thelbësore të respektoni secilin pjesëmarrës në trafik.