Megjithëse tashmë kanë kaluar 10 vite nga prezantimi i parë i shfaqjes “Aktori në kuti”, fabula e saj dhe interpretimi i aktorit të dëshmuar Mentor Zymberaj, vazhdojnë të vlerësohen nga dashamirët e teatrit kudo në botë.
Pritje madhështore kësaj shfaqjeje iu bë edhe në Teatrin” The Playground Theatre”, që u mbajt mbrëmë (13.09.18) në Londër.
Përkitazi me këtë ngjarje, ne morrëm një prononcim nga aktori, njëherësh regjisor dhe skenarist i shfaqjes respektive, Mentor Zymberaj.
“Jam vërtet entuziast meqenëse artdashësit e morrën mesazhin e shfaqjes me një emocion të lartë përjetimi. Kënaqësia ime ishte vërtet e madhe duke ditur se kjo shfaqje është në skenë kaq gjatë dhe ka rekord të çmimeve dhe sukseseve ndërkombëtare”, theksoi për Radio KFOR-in, artisti Zymberaj duke nënvizuar gjithashtu se është i ngazëllyer për faktin se porosia e tij si autor i shfaqjes, është përçuar thellë tek njerëzit, pavarëisht gjuhës apo popullit të cilit i takojnë.
“Aktori në kuti”, do të shfaqet sërish sonte në Londër, ndërkaq udhëtimin e rradhës do ta ketë më 21 shtator, në Tuz të Malit të Zi, për të vazhduar tutje me turne në skenat ndërkombëtare.