Me moton “Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht”, dashamirët e teatrit, tashmë kanë mundësi të shikojnë shfaqje të ndryshme teatrale edhe duke qëndruar në shtëpi.
Kjo mundësi është krijuar me nismë të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit të Gjilanit, të cilët kanë krijuar një kalendar online.
Si erdhi deri tek ideja e një projekti të tillë, për Radio KFOR-in, tregoi Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi:
“Janë bërë disa ditë që Teatri i Gjilanit dhe Teatri Kombëtar i Kosovës kanë filluar një nismë të përbashkët për krijimin e një kalendari online. Kësaj nisme në rruge e sipër u janë bashkangjtur edhe pothuajse të gjitha teatrot e Kosovës. Duke parë gjendjen e jashtëzakonshme, kemi menduar të mbajmë lidhjen dhe dashurinë që kemi me spektatorin duke e krijuar formatin e #teatritneshtëpi përmes publikimit livestream të shfaqjeve tona”, tha Z. Zymberi, duke shtuar se kjo mundësi natyrisht që nuk do të mund ta zëvendesoj lidhjen e gjallë e reale që ka teatri me publikun në kushte normale, por, siç tha ai, do të kontribuojë në plotësimin e një boshllëku artistik që është krijuar.
Të gjitha shfaqjet fillojnë nga dita e sotme (08.04.20), nga ora 20:00 dhe jepen online / livestream përmes linkut, që publikohet ditën kur është planifikuar shfaqja, në profilet zyrtare në Facebook të të gjitha teatrove përkatëse.