Mësuesit më të mirë janë ata që të japin mësim nga zemra, jo nga librat. Andaj, ajo se çfarë është një mësues, është akoma më e rëndësishme se ajo që ai na mëson, siç thotë edhe Karl Meninger.
Pikërisht për ta kuptuar dhe për ta vlerësuar kontributin që mësuesit dhurojnë për arsimin dhe zhvillimin e shoqërisë shënohet 5 Tetori – Dita Botërore e Mësuesit.
Lidhur me këtë, Radio KFOR-i ka kontaktuar mësuesen, tashmë të pensionuar, Nergjivane Çitakun, e cila ia dedikoi jetën arsimimit të nxënësve në ciklin e ulët klasor, ku punoi për 42 vite me radhë:
“Kur e kam marrë ditarin për herë të parë dhe kam shkuar në klasë kam qenë shumë e lumtur, sepse këtë profesion e kam dashtë. Me nxënës kam kaluar shumë mirë, ata i kanë respektuar rregullat e mësuesit, kanë qenë të dëgjueshëm, fëmijë që kanë qenë shembull për të mirë. Unë mund të them se punën e kam bërë me shumë përkushtim dhe pa u lodhur kurrë”.
Në fund, mësuesja Nergjivane, e cila për një kohë të gjatë punoi në Shkollën Fillore “Migjeni” në Mitrovicë, ka një porosi për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it.
“Çdo punëtor i arsimit që merr ditarin në dorë le t’i përkushtohet punës me shumë kënaqësi, me shumë dëshirë, me shumë dinjitet, sepse edukon breza të rinj. Ata duhet të jenë shembull për ata. Të gjithë mësues nuk mund të bëhen, por të kenë një edukatë dhe një arsim të mirëfilltë, i cili do të ketë rezultate në fund”.