Ishte viti 2018, kur një grua plot energji, përkushtim dhe pasion për punë erdhi në pozitën e kryeinfermieres në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë. Znj. Ganimete Haxhiu, magjistre e Menaxhimit, tani 37 vjeçare, ka tri vite që menaxhon 246 punëtorë të kësaj Qendre, ku përfshihen infermierët, higjienistët, rojat dhe shoferët në gjithë territorin e Komunës së Podujevës, ku 67 për qind e këtij ekipi i përkasin gjinisë femërore dhe 33 për qind gjinisë mashkullore.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, Znj. Haxhiu, ka rrëfyer sfidat dhe barrierat në të cilat ka hasur gjatë rrugëtimit si grua në këtë pozitë të lartë menaxhuese: “Është një sfidë me të cilën ballafaqohemi çdo ditë, me ndryshime të njëpasnjëshme. Barrierat kanë qenë fillimisht adaptimi brenda institucionit, brenda stafit, për shkak se kam qenë punëtore e re si dhe politikat e menaxhimit në privat dhe në institucione publike ndryshojnë. Ne jemi një Provincë dhe kufizimet e tilla, si të qenurit grua, nuk të lejojnë të zhvillohesh mjaftueshëm për vetë faktin që politizimi i gjërave, etiketimi i njerëzve, në çdo hap që ti e qet, në çdo situatë që ti mundohesh të ripërtërish diçka institucionin, mundesh me has në barriera të ndryshme, në sfida të ndryshme.”
Gratë dua t’i shoh në piedestal dhe në pozita të larta udhëheqëse, sepse ato mund të bëjnë ndryshime të mëdha në shoqëri, thotë tutje Znj. Haxhiu, e cila shtoi: “Gjininë femërore dua ta shoh në piedestal. Kemi mundësi si femra me arrit shumë edhe me ndryshu shoqërinë tonë, rrethin tonë, me vullnetin edhe me dëshirën për me arrit diçka më mirë. Kemi mundësi, kemi kapacitet. Unë i kisha lut të gjitha femrat që të jenë vetvetja, çdo gjë që arrijnë, të arrijnë me forcat e veta.”
Gjatë bisedës për përballje me ‘CoViD-19’, Znj. Haxhiu shpalli heroina, gratë në luftë me këtë pandemi në Komunën e Podujevës: “Stafi ka qenë bashkëpunues, konkretisht gjinia femërore, ajo e cila më ka mbështet pa asnjë hezitim më të voglin dhe që nga muaji mars dhe deri më tani kur po flasim e kanë menaxhuar pikën kufitare, kanë qenë heroinat e kësaj kohe. Në menaxhim kanë pasur vetëm një ekip që kanë kontrolluar brenda ditës deri në 800 udhëtarë që kanë hyrë në pika kufitare. Për të arritur këtë sukses, neve na duhet mendimi pozitiv, transparenca e dyanshme, duke qenë besnik ndaj gjithsecilit, duke mos punuar pas shpine të tjetrit, ky është një sukses që e arrin secili individ që dëshiron me ec përpara.”
Në fund të intervistës, ajo ka inkurajuar të gjitha gratë që të ndjekin ëndrrat e tyre, të punojnë fort dhe asnjëherë të mos e ulin kokën përballë barrierave në të cilat hasin gjatë jetës.