Shifrat e të prekurve me ‘CoViD-19’ në Kosovë vazhdojnë të jenë shqetësuese. Numri i të infektuarve me këtë virus gjatë 24 orëve ka disa javë që është tre shifror. Në mesin e të infektuarve me ‘CoViD-19’ ka qenë edhe znj. Mirjeta Duraku, e cila me profesion është gazetare. Në një deklaratë dhënë Radio KFOR-it ajo ka rrëfyer betejën e saj me këtë virus: “Zgjimi në orët e hershme të mëngjesit pasi nuk po mbushesha dot frymë dhe frika e madhe që virusin ua kam transmetuar familjarëve, janë dy gjërat që e përshkuan luftën time me ‘CoViD-19’. E më e frikshme është ideja që ka njerëz që besojnë që ky virus nuk ekziston. ‘CoViD-19’ ekziston dhe po merr nga ne më të dashurit tanë. Mënyra e vetme për të mbrojtur ata që duam dhe kanë rëndësi për ne, është mbajtja e maskës dhe distancës. Në këtë mënyrë ua lehtësojmë punën edhe të gjithë mantel bardhëve që po luftojnë me këtë virus tash e sa muaj.”
‘CoViD-19’ prek edhe njerëzit e shëndetshëm, andaj të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm e thotë edhe z. Zarko Jovanovic, i cili për disa javë ka luftuar me këtë virus: “Problem më i madh është se shumë njerëz ende nuk besojnë se virusi ‘CoViD-19’ ekziston, por mos harroni se edhe njerëzit e shëndetshëm mund të infektohen me këtë virus. Është e rëndësishme që të vazhdojmë të respektojmë rregullat për higjienë dhe distancë sociale”, thotë ai për Radio K4.
Bartja e maskës, mbajtja e higjienës personale dhe distanca fizike, janë mënyrat më të efektshme deri më tani për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.
Mbani mend, parandalimi është më i mirë se shërimi!