Këngëtarja e njohur, Rona Nishliu së fundmi ishte pjesë e jurisë së festivalit të famshëm francez” “Destination Eurovision”, për të zgjedhur këngën më të mirë të këtij festivali, e cila do ta përfaqësoj Francën në Eurosong.
Me tu kthyer nga Franca, Rona ndau me dëgjuesit e Radio KFOR-it, përshtypjet e saj përkitazi me nderin që i është bërë, për të qenë në jurinë profesionale dhe përvojën që ka marrë nga atje.
“Ishte eksperience fantastike të shohësh një produksion shumë të arrirë nga afër dhe të jesh dëshmitare e një procesi shumë profesional dhe serioz. Çdo dimension i prodhimit televiziv ishte në kulmin profesional. Padyshim për mua është nder të ftohem nga “Destination France”, tha Rona.
Kujtojmë që Rona Nishliu bëri jehonë me vokalin e saj të veçantë, përmes paraqitjes në Eurovisionin e vitit 2012, ku triumfoi në mesin e 5 më të mirëve dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë në shënjestër të produksioneve më prestigjioze muzikore, kudo në botë.