Dhjetori i vitit 2019, do të ndryshonte botën në pikëpamjet që as që ishin paramenduar. Shfaqja e virusit të panjohur që transmetohet nga njeriu në njeri, brenda pak muajve do të përhapej pothuajse në çdo cep të botës.
Një nga masat e para që u ndërmor në shumë vende, ishte izolimi i popullatës në mënyrë që të ndalej vrulli i përhapjes së virusit. E të qenurit në izolim, përballë një situate të cilën bota nuk e kishte provuar për kohë shumë të gjatë, ndikoi ndër të tjera edhe në mënyrë psikologjike tek secili individ. Për dallim nga virusi ‘Spanjoll’, që shpërtheu në vitin 1918, pandemia e shkaktuar nga COVID-19, e gjeti botën në një moment ‘shumë më të mirë’. Gjatë pandemisë së gripit të vitit 1918, që u vlerësua se infektoi një të tretën e popullsisë së botës, njerëzit nuk kishin të njëjtat burime komunikimi që kemi tani në shekullin XXI për të shpërndarë shpejt lajmet dhe informacionet. E për këtë duhet të falënderojmë mediat sociale të cilat na kanë ndihmuar në shumë mënyra për të na e bërë më të lehtë përballjen me pandeminë e CoViD-19.
Madje, rrjetet sociale, krahas informimit, nxorën në pah edhe kreativitete të shumta në të gjitha fushat jetës: kinematë e teatrot na shuan etjen, pasi përmes rrjeteve sociale sollën shfaqje të shumta online, muzikantët e këngëtarët nga e mbarë bota dhe nga të gjitha rrymat muzikore sollën jetë e shpresë përmes muzikës live po në rrjetet sociale, u krijuan grupe vetëdijesuese për luftimin e pandemisë dhe duke pasur mundësinë që të komunikojmë në çdo moment përmes rrjeteve sociale me më të dashurit tanë, sadopak na u shua malli.
Numri i përdoruesve të rrjeteve sociale, u raportua si më i madhi në histori të rrjeteve sociale, duke dyfishuar numrin e orëve që kalojmë në Facebook, Instagram, Twitter, Snapchat, TikTok etj.
Megjithëse vëmendja e hulumtimeve dhe këshillat e ekspertëve socialë viteve të fundit janë drejtuar në efektet negative që prodhon shpenzimi i kohës së rrjetet sociale, këto të fundit kanë pasur rol të madh në psikologjinë e njerëzve duke ndihmuar përgjatë pandemisë të mos ndjehemi shumë të vetmuar dhe ta kemi më të lehtë izolimin.