Heronj të padiskutueshëm të periudhës së pandemisë me ‘CoViD-19’, janë edhe ata që me profesionalizëm, guxim e kurajo, kanë shkëlqyer në shërbim të informimit publik dhe transparencës, e që janë gazetarët. Ndonëse në fillim sfidat ishin shumë më të theksuara për marrjen e informacioneve të duhura rreth virusit ‘CoViD-19’, për shkak se gjithçka në atë kohë ishte e panjohur edhe për stafin shëndetësor, gazetarët nuk reshtën së kërkuari të vërtetën, në mënyrë që qytetarëve të ju shërbehen informacione të sakta, se si të ruhen nga ky virus.
Me sfidat e lartpërmendura u përball edhe gazetari Bujar Vitija, nga gazeta “Shneta”, i cili për Radio KFOR-in, kujtoi me krenari atë periudhë sa të vështirë aq edhe të suksesshme: “E them me kënaqësi që të gjitha mediat që kemi raportuar nga fillimi për pandeminë, kemi ushtruar ndikimin për me pas qasje tek profesionistët, të cilët nuk kanë hezituar asnjëherë të ofrojnë informacione dhe këshilla për qytetarët përmes mediave. Në përgjithësi, vet raportimi në pandemi ka qenë sfidë si gazetar, sidomos për ata që nuk kanë punuar asnjëherë në këtë sektor. Ka qenë një interesim i jashtëzakonshëm i njerëzve të lexojnë informacione se çfarë po ndodhë dhe si po zhvillohet situata në Kosovë dhe botë, por edhe një brengosje e madhe për gjendjen personale. Dhe raportimi në një situatë të tillë, me një panik të madhe, është dashur gjithmonë të jetë i balancuar dhe sigurisht i mbuluar me informacione zyrtare. Krahas të gjitha këtyre vështirësive në aspektin profesional, ne si gazetarë të terrenit gjithashtu jemi rrezikuar në vazhdimësi nga infeksioni me ‘CoViD-19’, sepse kemi pasur kontakte me të infektuar përbrenda klinikave me persona të infektuar me ‘CoViD-19’, me intervista direkt me mjekë, të cilët kanë punuar me pacientë të infektuar, kemi qenë pothuajse çdo ditë para Klinikës Infektive si dhe për të përcjellë konferencat”, ka thënë gazetari Vitija.
Duke qenë aset i rëndësishëm në jetën tonë, posaçërisht në situata të tilla ku rrezikohet jeta e njeriut dhe ku informacioni është jetik, puna e gazetarëve gjatë pandemisë ‘CoViD-19’, vlerësohet dhe çmohet nga të gjithë.