Organizuar nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe Organizatat Joqeveritare ‘Democracy for Development’ dhe ‘Center for Counseling, Social Services and Research’, me datën 29 maj, nga ora 10:00 deri në orën 16:00, në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, do të hapet ekspozita me fotografi “Baballarët suedezë dhe kosovarë”.
Përmes kësaj ekspozite do të shpalosen të mirat nga ndarja e kohës nga puna, për të shijuar jetën familjare dhe për të marrë një rol aktiv në vitet e para të zhvillimit të fëmijës dhe poashtu do të paraqiten baballarët modern, të cilët e shohin rolin e tyre në familje dhe mënyrën se si ata e kuptojnë rëndësinë e marrjes së lejes prindërore për dallim nga stereotipet dhe qëndrimet tradicionale.
Kjo ekspozitë është pjesë e projektit të gjatë që avokon për ndryshime legjislative për leje më të barabartë prindërore në projektligjin e veçantë për leje të lindjes dhe atë prindëror.