Në kuadër të projektit “Pikëpamja”, organizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, sot (22 maj), në ora 17:00, vazhdon cikli i bisedave me të ftuarit e fushave të ndryshme, të cilët do të shpalosin punën e tyre dhe do të ndajnë histori inspiruese që do të na bëjnë të mendojmë për veprimet që mund të marrim për ndryshime pozitive në komunitet. Për të kuptuar më shumë rreth këtij aktiviteti, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me Menaxheren e Komunikimit në fondacionin “Shtatëmbëdhjetë”, Sihana Klisurica:
“Në këtë formë ne mëtojmë që të rinjve, të cilët bëhen pjesë e jona tu ofrojmë një mundësi që të dëgjojnë për eksperiencat dhe sukseset e individëve apo grupeve të caktuara për të mirën e komunitetit dhe qëllimi ynë është që këta të rinj, të inspirohen për të ngritur zërin dhe të ndërmarrin aksione që i shërbejnë vendit për të mirë, ku ata jetojnë”, tha për Radio KFOR-in, znj. Sihana Klisurica.
Do të jenë aktivistët Edonis Hashani dhe Erleta Morina nga Termokiss, të cilët do të ndajnë përvojën e tyre me qendrën që drejtohet nga komuniteti në Prishtinë, që për mision ka këmbimin urban dhe civil, reflektimin dhe ndryshimin.