Shfaqja e suksesshme e baletit ‘O.Taka’, është rikthyer edhe njëherë në programin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo shfaqje baleti do të shfaqet sot (28.01), nga ora 19:00.
Shfaqja unike që trajton jetën e valltarit të famshëm Osman Taka, përcjellë emocion dhe ngërthen historinë personale të dashurisë ndaj vallëzimit. Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me koreografin e kësaj shfaqje Sinan Kajtazi, i cili tregoi më shumë rreth konceptit dhe mesazhit të fuqishëm që bart kjo shfaqje: “Shfaqja ‘O.Taka’, është një balet modern në aspektin koreografik i bazuar në historinë e famshme të kërcimtarit Osman Taka, një personazh i cili ka jetuar në fund të shek të 19-të. Shfaqja në vete ngërthen skena kryesisht masive, ku përmes muzikës ritmike në formë rituali, e përcjellë me tinguj fraza të herë pas hershme të melosit të muzikës, duke përcjellë te publiku, dëshirën e pasionin e Osmanit për vallëzimin. Tragjedia e O.Takës, është po ashtu reflektim ndaj trajtimit të balerinëve në vendin tonë, të cilët artin e tyre prej vitesh e zhvillojnë në kushte tmerrësisht të këqija.”
Shfaqja do të zhvillohet duke respektuar masat anti-covid dhe numri i publikut do të jetë i kufizuar.