Në shumë vende të botës por edhe në Kosovë, vala e dytë e infektimeve me COVID-19, tashmë ka filluar rëndimi i gjendjes së përgjithshme e të infektuarve. Në këtë periudhë kohore, në vend është paraqitur edhe gripi sezonal duke shtuar edhe më shumë numrin e personave të cilët kërkojnë ndihmë mjekësorë. Vetëm në 24 orët e fundit, në vend janë testuar 1.617 persona, derisa gjashtë persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19, ndërsa janë regjistruar edhe 661 të infektuar me ‘Covid-19’.
Vala e dytë e infektimeve ka prekur pothuajse të gjitha komunat e Kosovës, duke rritur numrin e infektimeve. Radio KFOR-i ka zhvilluar sot (06.11.20), një intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Spitalit të Gjakovës, Dr. Hilmi Shala, i cili na njoftoi me gjendjen në spitalin e tyre dhe përgatitjen maksimale të stafit në përballje me COVID-19: “Si në gjithë Kosovën edhe në komunën e Gjakovës gjendja epidemiologjike ka filluar të rëndohet më shumë. Spitali ynë dhe stafi është i mobilizuar që të menaxhojmë sa më mirë situatën me pandeminë. Sipas raportit të sotëm të mëngjesit, aktualisht në spitalin tonë janë të hospitalizuar 44 pacientë. Spitali ynë ka mbi 400 shtretër dhe jemi të përgatitur, kemi hapësirë të mjaftueshme dhe resurse humane”.
Dr. Shala tha se me paraqitjen edhe të gripit sezonal, është vështirësuar gjendja për të bërë dallimin e tij me COVID-19, por theksoi se në Spitalin e përgjithshëm të Gjakovës vazhdimisht bëhen testime përkatëse për COVID-19, duke siguruar dhe duke u kujdesur për të gjithë qytetarët dhe shëndetin e tyre.
Në këtë situatë të gjithë duhet të jemi bashkëpunues dhe të përgjegjshëm për të respektuar tre rregullat bazë në mbrojtje nga COVID-19: distancën, maskën dhe higjienën.