Vitaminat luajnë rol të rëndësishëm në funksionet trupore, si në metabolizëm, forcim të imunitetit, tretje dhe përmirësim të shëndetit të përgjithshëm. Janë 13 vitamina thelbësore, përfshirë këtu vitaminat A, C, D, E dhe vitaminat K dhe B, siç janë riboflavina dhe folati. Mënyra më e mirë për të pasur një dietë të shëndetshme të ushqyerjes, është duke konsumuar shumëllojshmëri ushqimesh të cilat përmbajnë të gjitha vitaminat që i duhen trupit tonë. Sezoni i dimrit, është më ndjeshëm sa i përket paraqitjes së viruseve dhe gjatë kësaj kohe vitaminat janë aleatët kryesor për të pasur imunitet të fortë.
Rreth vitaminave dhe rëndësisë së tyre gjatë motit të ftohtë, Radio KFOR-i bisedoi me nutricionisten Dafina Demolli, e cila këshilloi se cilat vitamina duhet të përfshijmë në dietën tonë gjatë këtij sezoni dhe për rëndësinë e tyre në organizmin tonë: “Një dietë e shëndetshme në dimër, është e domosdoshme për të na mbrojtur nga të ftohtit dhe sëmundjet. Vitaminat D, C, A, E dhe B12 janë thelbësore për të rregulluar sistemin imunitar si dhe për të parandaluar tharjen e lëkurës. Gjatë stinës së dimrit, niveli i vitaminës D mund të jetë i varfëruar në trup. Ne kemi nevojë për vitaminë D, për të absorbuar kalciumin në kocka. Mungesa e tij shoqërohet me probleme me gjumin, depresion, dhimbje kyçesh, imunitet të dobët. Vitamina C është një lëndë ushqyese thelbësore që forcon sistemin imunitar. Vitaminat B complex dhe Omega 3, po ashtu janë shumë të rëndësishme në këtë kohë.”
Vitaminat pa dyshim janë ushqyesit dhe mbrojtësit më të mirë gjatë kësaj sezone, prandaj kujdesuni që ti përfshini ato në dietën tuaj.