Kujdesi oral tek fëmijët është shumë i rëndësishëm dhe duhet të fillojë qysh në hapat e parë të jetës. Prindërit janë ata të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e dhëmbëve të fëmijëve të tyre, andaj është e rëndësishme të ndjekin në tërësi rekomandimet e stomatologëve. Në lidhje me këtë temë, Radio KFOR-i ka kontaktuar Spec. Dr. Fikrete Mani, e cila ka treguar për rëndësinë kujdesit oral tek fëmijët: “Dhëmbët janë diamant natyror dhe humbja e tyre shkakton probleme estetike dhe funksionale. Andaj, kujdesi ndaj tyre duhet të fillojë me daljen e dhëmbëve të parë në moshën 6 mujore nga prindërit, me një copë pambuku të lagur me ujë. Me plotësimin e harkut të dhëmbëve në moshën 2,5 apo 3 vjeç, fëmiu rekomandohet të përdorë brushën e dhëmbëve me kokë të vogël me fije të buta dhe pastën e dhëmbëve me shije të ndryshme. Biberoni të përdoret sa më pak ose të eliminohet në tërësi, duke përdorur vetëm lugën për ushqim. Në moshën shkollore, kur edhe prishja e dhëmbëve është më e madhe për shkak se kemi një denticion të përzier, kujdesi ndaj dhëmbëve duhet të bëhet edhe më rigoroz.”
Tutje, ajo ka listuar rekomandimet që duhet t’i ndjekin prindërit, në mënyrë që fëmijët e tyre të kenë dhëmbë sa më të shëndetshëm: “Rregullat që duhet t’u përmbahen janë: pastrimi i dhëmbëve duhet të bëhet dy herë në ditë me brushë dhe pastë. Brusha duhet të jetë me fije sintetike, medium dhe të ndërrohet çdo gjashtë muaj; pasta duhet të përmbajë flour, sepse parandalon dëmtimin e dhëmbit; duhet të përdoren penjtë dental, sidomos në mbrëmje për dy arsye: për shkak se kemi kohë më gjatë për pastrim dhe nuk marrim ushqim natën, kështu higjiena zgjat; eliminimi ose zvogëlimi i menysë së ushqimeve të ëmbla, sidomos atyre që ngjiten, si p.sh. bonbonet, për shkak se qëndrojnë më gjatë ngjitur në dhëmbë duke lejuar mikroorganizmat të veprojnë dhe fermentojnë ëmbëlsirat në acide; pas përdorimit të ushqimeve të tharta si limoni, asnjëherë të mos pastrohen dhëmbët me brushë, por vetëm të shpërlahet goja me ujë dhe rekomandohet kontroll periodike tek stomatologu çdo 6 muaj.”