Prindërit janë ndër njerëzit më të rëndësishëm në jetën e fëmijëve. Që nga lindja, fëmija mëson të mbështetet tek nëna dhe babai, të cilët ofrojnë mirëqenie të përgjithshme për ta. Prindërit i ndihmojnë fëmijët të ndërtojnë jetë, të zënë njohuri, të dinë të menaxhojnë zemërimin, trishtimin për t’i zëvendësuar ato me lumturi dhe qetësi.
Por se si i mirëpresin të rinjtë këshillat e prindërve, Radio KFOR-i kontaktoi dy të rinj:
– “Unë jam Bleta Berisha, jam në klasën e nëntë. Unë gjithmonë i mirëpres këshillat e prindërve, sepse ata janë më të rritur dhe normal që ata dinë më mirë se ne. Prindërit e mi zakonisht më këshillojnë që të mësoj mirë dhe të jem e dobishme për çdo njeri.”
– “Unë jam Besmir Gllugofci. Unë i vlerësoj shumë prindërit. Kur më japin një detyrë unë e pranoj sepse ata e kanë për të mirën tonë. Më këshillojnë të mos shkoj rrugës së gabuar dhe të kem kujdes se me kë po shoqërohem.”
Të bëhesh prind është zakonisht një ngjarje e mirëpritur, por është edhe obligim. E nga ana tjetër për të siguruar zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve nuk varet vetëm nga prindërit. Mirëqenia e tyre varet edhe nga institucionet dhe organizatat në nivelin lokal, komunal dhe më gjerë, të cilët duhet të ofrojnë programe të ndryshme në mbështetje të prindërve dhe fëmijëve.