Realitet dhe spektakël, këto janë arsyet kryesore pse njerëzit janë të dhënë pas ‘reality shows’. Këto programe televizive vazhdimisht kanë zgjuar kureshtjen e shumë njerëzve nga mbarë bota, duke iu dhuruar emocione dhe duke i bërë shikuesit të bashkëndjejnë me personazhet.
Por, cili është efekti i një ‘reality show’, psikologe Antigona Qenaj thotë:
“Janë prej emisioneve që nuk kanë efekt pozitiv në aspektin personal. Ndodhë që shpesh ka edhe diçka të mirë prej këtyre emisioneve, si çdo gjë tjetër, që ka një efekt të mirë dhe një të keq, mirëpo aspektet negative janë më të mëdha për shkak se personat harxhojnë shumë kohë, shpesh krijohet njëfarë varësisë duke i ndjekur ato emisione dhe personi shkëputet pak a shumë prej jetës së vet, nga qëllimet e tija në jetë, prishen oraret e gjumit, çrregullohen oraret e jetës, e këto janë disa nga efektet negative të ‘reality shows’. Mos të flasim pastaj për ‘reality show’ të personave të famshëm të cilët jetën e tyre luksoze e shfaqin në ekran dhe nga kjo gjë shumë persona edhe mund të lakmojnë, pastaj pamundësia për të arritur një jetë të tillë ndikon negativisht te ta, problem me emocione, ulje të vetëbesimit, e deri tek depresioni”.
Nga ana tjetër, një studim i bërë nga “Course Research” mbi ndikimin e ‘reality shows’, konkludon se programe të tilla ‘lënë mjaftë hapësirë për të diskutuar’ dhe që një program i tillë ‘abuzon me vlerat kulturore e tradicionale, por gjithashtu ndikojnë negativisht edhe për të ardhmen e shoqërisë. Më tutje në këtë studim thuhet se: “Megjithëse ndalimi i shfaqjeve të tilla do të ishte ideale, në mënyrë që të ‘frenohet’ ndikimi i tyre, kontrollimi dhe udhëzimi i prindërve kundrejt fëmijëve të tyre duhet të jetë për një edukim të mirëfilltë të gjeneratave të reja.