Agjencia ‘Rave Travel’, e cila sjell në vazhdimësi aktivitete të ndryshme kulturore për të qenë sa më pranë të gjithë njerëzve, veçanërisht të rinjve, këtë herë ka vendosur që në mënyrë virtuale ta sjell Festivalin “Rave Virtual Festival”, në programin e të cilit do të ketë artistë me famë botërore.
Ky organizim do të zgjasë tri net, ka bërë të ditur për Radio KFOR-in, themeluesi i kësaj agjencie, Kushtrim Dushi, i cili tutje ka treguar angazhimin e tyre gjatë kohës së pandemisë: “Unë dhe ekipa ime kemi punuar shumë gjatë gjithë këtij viti, ku kemi organizuar evente virtuale në lokacione të ndryshme të Kosovës dhe jemi munduar që të shpërndajmë energji pozitive në këtë kohë të pandemisë. Pas gjithë këtij mundi e pune të palodhshme, ne jemi duke organizuar një festival virtual të quajtur ‘Rave Virtual Festival’, i cili do të përmbajë artistë me famë botërore. Çdo natë do të performojë nga një artist dhe performancat do shfaqen në televizionin Klan Kosova pas mesnate, ndërsa në rrjete sociale në më shumë se 50 platforma. Festivali do zgjas tre netë, nata e parë do jetë nata e Vitit të ri, ku të gjithë do festojmë së bashku me artistin e mirënjohur që po prek majat e botës. Pra ai është Regard. Ne kemi ftuar artistë e producent të ndryshëm, të cilët kanë performuar zhanre të ndryshme dhe tash i ka ardhur koha edhe zhanrit House, ku kemi pasur kërkesa nga audienca që gjithmonë na përkrahë. Regard për të gjithë ju ka përgatitur një super set, të cilin mundeni me dëgju por edhe me e pa me datën 31 dhjetor pas mesnatës në Klan Kosova dhe me 1 Janar mund ta ndiqni në faqën tonë zyrtare dhe në më shume se 50 platforma të ndryshme të rrjeteve sociale.”
Tutje, Kushtrimi, i cili përçoi edhe një mesazh për dëgjuesit e radios sonë, tha se viti 2021 do të jetë një vit me plot surpriza dhe organizime të papara deri më tani në vend: “Gjithsesi ne do të vazhdojmë organizimet tona, ku 2021 do të jetë një vit me shumë surpriza dhe organizime të papara në vendin tonë, e kjo mbetet për t’u parë. Faleminderit Radio KFOR-it dhe dëgjuesve për përkrahjen dhe që vazhdojnë të na dëgjojnë në Rave Live Session. Mbi të gjitha kujdesuni per vetën e së shpejti do takohemi të gjithë. ”