Të dielat e ndjekësve të Radio KFOR-it përmes rrjeteve sociale (https://www.facebook.com/RadioKFOR ) tash e tutje do të jenë shumë më të bukura, argëtuese dhe me një mundësi që rrallë mund të vije. Kjo, falë bashkëpunimit me Rave Travel, që është një prej agjencive tashmë shumë të njohura, jo vetëm në vendit tonë për organizimet e shumë koncerteve, mirëpo përtej kufijve. Duke parë limitet që solli pandemia e CoViD-19, Rave Travel ka ardhur me një ide fantastike. Për të kuptuar më në detaje se për çfarë aktiviteti po flasim, Radio KFOR-i morri një prononcim nga themeluesi i agjencisë “Rave Travel”, Kushtrim Dushi, i cili tregoi se që nga java e shkuar, e deri në një afat të pacaktuar, do të sjellin tek të gjithë adhuruesit e muzikës elektronike, çdo të diel performanca livestream të DJ-ve të njohur botërisht: “Sesioni i fundit ka qenë në bullgari me Vlasilav Rashkov dhe po flasim për një super artist. Ai është që ka filluar karrierën në vitin 1999 dhe DJ i parë Bullgar, i cili luajti në klubin legjendar Turnmills, në Londër. Të dielave në vazhdim do të kemi sesione tjera po me artistë nga Bullgaria, pasi jemi duke e bërë një lloj turi nëpër Ballkan për me i mbështetë artistët lokalë dhe ata që janë internacional në këto kohë kur ata nuk kanë data për të performuar në koncerte apo në ndonjë ngjarje tjetër, për shkak të pandemisë. Ne po mundohemi me i dërgu këto ndeja nëpër shtëpi të njerëzve, që mos me ju mungu skena e muzikës dhe skena e festivaleve dhe koncerteve. Andaj muzikën elektronike të gjithë tash kanë me e shiju në shtëpi përmes performancave livestream me super artistë.”
Z. Dushi tregoi se në mesin e DJ-ve, të njohur që do të performojnë përgjatë të dielave, janë J- Lost, Slavi, Drenique, e shumë të tjerë që vijnë nga vendet e Ballkanit, ndërsa na informoi se këtë të diele, më 7 mars në livestream do të zë vend performanca e artistes nga Bullgaria, Desita. Ndërkohë, sa i përket bashkëpunimit me Radio KFOR-in, themeluesi i agjencisë “Rave Travel”, Kushtrim Dushi tha se bashkëpunimet e mirëfillta ndër vite me ne, kanë sjellë edhe këtë bashkëpunim andaj ka një porosi për dëgjuesit e Radio KFOR-it. “Krejt dëgjuesve ju themi me qenë me ne edhe përmes rrjeteve sociale të Radio KFOR-it, ku kemi me u mundu me sjell një atmosferë më ndryshe, muzikë më ndryshe të cilët ndoshta nuk janë mësuar çdo herë me dëgju, mirëpo ne po i prekim nga pak krejt zhanret e muzikës elektronike, për me ju sjell të gjithëve një të diele pak më ndryshe.”