Data e sotme 11 shkurt, i është ndarë shënimit të ‘Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë’, për të njohur kontributin e grave dhe vajzave inovatore dhe për të inkurajuar ato që të jenë sa më të përfshira në shkencë. Një nga vajzat kosovare që tashmë është e njohur për rrugëtimin shkencor me zbulimin e dorës robotike, është Raesa Nikshiqi, e cila përmes frekuencave të Radio KFOR-it, tha se shkenca duhet të shihet si e të gjithëve, në mënyrë që ajo të zhvillohet edhe më shumë : “Në shkencë nuk ka gjini dhe është e gjitha për të gjithë. Për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm në shoqëri, duhet ta njohim shkencën si themel i zhvillimit të qëndrueshmërisë dhe gjithmonë duhet theksuar roli i shkencës në barazi. Diku rreth 30% e grave dhe vajzave bëhen pjesë e listës së shkencëtarëve nëpër botë, që është numër i vogël marr parasysh që ne (gratë dhe vajzat) globalisht jemi 50% si popullsi. Qysh në bankat shkollore vajzat dëshmohen që janë më të mira në shkenca natyrore por jo gjithmonë vazhdojnë me studime të mëtutjeshme të këtyre shkencave. E kjo mendoj unë që ndodhë për shkak të mentalitetit, jo vetëm në Kosovë por gjithandej botës sepse jemi mësuar të shohim që inxhinierë, matematicientë etj.. të jenë burrat, por nuk duhet të mos harrojmë që inovatoret më të mëdha kanë qenë pikërisht gratë.”
Sot, Raesa Nikshiqi është duke studiuar në fushën e Mekatronikës, në Universitetin e Prishtinës, ndërsa tha që ndihet me fat që në rrugëtimin shkencor, ka gëzuar përkrahjen e pakusht të shoqërisë e familjes dhe kjo i ka ndihmuar shumë që të vazhdojë ta zhvilloi pasionin e saj në shkencë. Ndërkohë, sa i përket shpikjes së saj të fundit të ‘Dorës Robotike’, Raesa tha: “Kur e kam zbuluar, asokohe, dorëza nuk ka mundur të zhvillohet shumë sa që të arrijë në pikë të prodhimit, por tash së bashku me të rinjtë e OJQ “Në gjuhën tonë”, nga Prizreni, jemi duke punuar për të ndihmuar njerëzit memecë me dorezën dhe të njëjtën po punojmë ta zhvillojmë edhe më shumë dhe të marrim edhe fonde për ta drejtuar drejt prodhimit.”
“Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë” shërben për të ndërgjegjësuar komunitetin, por edhe vetë femrat për mundësitë dhe aftësitë që ato kanë për t’u zhvilluar në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM).