Si çdo vit tjetër, edhe këtë herë, Radio KFOR-i është përkujdesur që të sjell një program special dedikuar festave të fundvitit për dëgjuesit e shumtë të Radios.
Emisionet e larmishme, të cilat do t’i sjellim te ju përmes frekuencave të shumta të Radio KFOR-it, do të transmetohen më 1 dhe 2 Janar 2020.
Po e nisim me emisionin “Music Zoom”, në të cilin do të transmetohen albumet më të shitura të vitit 2019 dhe projektet më të suksesshme muzikore, të cilat janë lansuar përgjatë vitit 2019.
Më pas, do të sjellim një emision, dedikuar eventeve më interesante dhe të rëndësishme nga fusha e kulturës dhe të tjera, që kanë ndodhur në Kosovë gjatë vitit 2019.
Po ashtu, anash nuk do të lihen as zhvillimet tejet interesante në fushën e ‘showbizz’-it, të cilat kanë karakterizuar vitin 2019 në Kosovë. Përmes, një emisioni special dedikuar pikërisht kësaj fushe do të mund të mësoni më shumë për ngjarjet më të përfolura në skenën muzikore.
Me një edicion special për festat e fundvitit vjen edhe një ndër emisionet më të reja në frekuencat e Radio KFOR-it “Retro Remix”, në të cilin do të transmetohen remix-at më të famshëm dhe më të suksesshëm, të lansuar gjatë 2019-tës.
Edicioni special i Radio KFOR-it do t’iu dedikohet edhe të gjithë adhuruesve të librave, filmave, teknologjisë edhe sportit. Në frekuencat e Radios do të transmetohen edicione speciale të emisioneve dedikuar këtyre fushave.
Fillimisht do ta sjellim emisionin “Best Books”, i cili do të sjell tek të gjithë dëgjuesit librat më të shitur të vitit 2019, të cilët duhet t’i lexoni patjetër në vitin e ri që po vjen [2020].
Nuk mbarojmë me kaq. Përmes edicionit special të emisionit dedikuar filmit “Cosmopolis”, do të sjellim ngjarjet më të rëndësishme në kinematografinë vendore dhe atë ndërkombëtare, që kanë karakterizuar vitin që po lëmë pas [2019].
Të gjithë adhuruesit e sportit do ta kenë mundësinë që përmes edicionit special të emisionit të sportit të mësojnë më shumë për të gjitha eventet sportive që janë veçuar më 2019.
Pjesë e programit të larmishëm të Radio KFOR-it do të jetë edhe edicioni special i emisionit dedikuar teknologjisë “Tech World”, në të cilin do të sjellim tek ju zhvillimet më interesante teknologjike të vitit 2019.
Të dashur miq e dëgjues të shumtë, vazhdoni të shoqëroheni me frekuencat e Radio KFOR-it dhe ndiqni edicionin special dedikuar festave të fundvitit.
Të gjithë juve, Radio KFOR-i iu uron shëndet, një vit të mbarë dhe shumë suksese.