Fuqizimi i grave është pika më e rëndësishme dhe shtylla ku mbështetet zhvillimi i përgjithshëm i një vendi. Një shembull i një gruaje të suksesshme dhe një gruaje që punon çdo ditë në rolin dhe fuqizimin e të gjitha grave në Kosovë, është Drejtoresha Ekzekutive e Organizatës Joqeveritare Forumi për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini. Ajo në një intervistë dhënë Radio KFOR-it, ka shpalosur vetëm disa nga projektet e fundit që janë duke i realizuar në kuadër të Akademisë për Lidership dhe Diplomaci, e që ka bërë bashkë vajzat e të gjitha komuniteteve në vend: “Sa i përket periudhës, po flas për periudhën e fundit të angazhimit si organizatë, kemi pasur jashtëzakonisht shumë projekte të ndryshme në ndihmë të komunitetit. Aktivitetin e fundit e kishim javën e kaluar në EULEX, ku hapëm dyert për një grup të mrekullueshëm të vajzave, lidereve që kam në Akademi dhe kam bërë një kombinim të gjeneratës së parë dhe të dytë nga komunitetet Rom, Ashkalinj, Egjiptian dhe Turk. Aty u hapën tema të ndryshme si dhuna në bazë gjinore, të drejtat e njeriut, aftësitë komunikuese, etj. Po ashtu kemi pasur edhe projektin që është mbështetur nga Këshilli i Evropës. Në këto aktivitete të përfshira kanë qenë vajzat nga të gjitha komunitetet. Sa i përket aktiviteteve të tjera, jemi në pritje të implementimit edhe të katër projekteve të tjera për vajzat dhe gratë nga të gjitha komunitetet”, ka thënë znj. Emini mes tjerash për Radio KFOR.
Një tjetër storie suksesi, na vjen nga gruaja e komunitetit serb, Miljana Dunderin, e cila është drejtoreshë në Qendrën Kulturore ‘Aquarius’, në Mitrovicë dhe ideatore e Festivalit të Impulsit të Kreativitetit të Grave, i cili mbahet për 3 vjet me radhë. Në një prononcim për Radio KFOR-in, ajo tha: “Me punën time në qendrën kulturore dhe në festivalin e krijimtarisë së grave, përpiqem të kontribuoj në promovimin e krijimtarisë së grave dhe në këtë mënyrë në fuqizimin dhe forcimin e dinjitetit të një gruaje.”
Pa barazinë dhe fuqizimin gjinor, shoqëria nuk mund të jetë e drejtë dhe ndryshimi shoqëror nuk do të mund të ndodhë. Prandaj, edhe studiues të shumtë pajtohen se fuqizimi i grave luan një rol të madh në zhvillimin e një vendi dhe është një nga faktorët më të rëndësishëm të progresit të një shoqërie.