Një ndër të mirat e muzikës është edhe fakti që gjithmonë vjen me frymë të re dhe në çdo gjeneratë lindin zëra të rinj. Njëri nga këta talent të rinj, është edhe këngëtari Ndriçim Gazija, i cili u bë i njohur sa ishte pjesë e edicionit të 6-të, të garës muzikore ‘The Voice Of Albania’, meqë aty arriti të klasifikohet nga një juri profesionale dhe më vonë u bë pjesë e ekipit të udhëhequr nga artisti i njohur, Alban Skënderaj.
Për tu njohur më për së afërmi me këtë artist të ri, Radio KFOR-i, mori një prononcim nga vet këngëtari Ndriçim Gazija, i cili udhëtimin e tij në këtë profesion e ka filluar qysh në moshë të hershme: “Mësimet e para për piano i kam marr në moshën 9 vjeçare, në Shkollën e Muzikës ‘Prenk Jakova’, në Gjakovë. Pastaj rreth moshës 15 vjeçare, fillova më kitarë për ta vazhduar shkollimin për kanto, në shkollën e mesme ‘Prenk Jakova’ dhe në Universitetin e Tetovës.”
Mes shumë angazhimeve dhe mbrëmjeve muzikore, këngëtari Gazija, po përgatitet që në një të ardhme të afërt, të sjell edhe disa projekte të reja muzikore: “Ka kohë të gjatë që kam punuar në këngët e mia, ka shumë tekste dhe melodi në të cilat kemi punuar që të sjellim diçka të veçantë te publiku, prandaj edhe na kanë marr shumë kohë, por besoj shumë shpejtë të gjithë do ta kenë rastin ti dëgjojnë.”