Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me profesoreshën e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin Publik të Prishtinës, Remzie Shahini-Hoxhaj, të cilën mund ta lexoni në vijim:
RADIO K4: Na tregoni më shumë rreth programit që ofron Departamenti i Gazetarisë?
Prof. Remzie: Faleminderit shumë, Vjosa. Jam shumë e lumtur që sot po e zhvillojmë këtë intervistë. Ndjehem e privilegjuar që po e bëj një intervistë me një ish studente timen. Departamenti i gazetarisë është themeluar në vitin 2005. Arsyeja pse ne gjendemi në Fakultetin e Filologjisë, është sepse ka rrjedhur si një iniciativë e profesorëve të departamenteve të linguistikës dhe disa profesorë kanë atë prapavijë dhe kjo është arsyeja që në kuadër të rajonit zakonisht departamentet e gazetarisë mund ti gjeni në kuadër të fakulteteve të filozofisë dhe shkencave politike, ndërsa tek ne është në Fakultetin e Filologjisë. Ky është një departament që ofron njohuri jo vetëm në sferën e gazetarisë por edhe të shkencave të komunikimit, pikërisht për shkak të kësaj përbërje të stafit akademik. Ne me kalimin e kohës, tani vetëm që kemi arritur ti ngritim burimet njerëzore, në kuadër të departamentit tonë. Tashmë kemi të diplomuar edhe profesor, të cilët janë prodhim i departamentit tonë. Kemi diku 500 studentë, në të tri nivelet e studimit. Çdo vit në nivelin Bachelor, regjistrojmë rreth 150 studentë. Pastaj, në nivelin Master, kemi rreth 20 studentë. Po ashtu, kemi pasur edhe nivelin e doktoratës. Shpresojmë shumë që në të ardhmen të mund ti rrisim edhe kapacitetet e regjistrimit të studentëve të ri për shkak që kërkesa është mjaft e madhe, por edhe për shkak të mbulimit të tregut. Të them pa modesti, 90% e studentëve tanë pothuajse ende pa i përfunduar studimet gjenden në tregun e punës. Pastaj, pasi të përfundojnë studimet gjithsesi. Pikërisht për shkak të diversitetit të cilin e ofron departamenti si i tillë, studentët tanë arrijnë që të punësohen jo vetëm në sektorin e mediave por edhe në institucione dhe në organizata të tjera që kanë të bëjnë me sferën e komunikimit. Për shembull, në Marrëdhënie me Publikun, në marketing, disa prej tyre janë edhe zëdhënës të institucioneve të ndryshme, ose janë edhe në sferën e komunikimit politik, janë ‘spin doctor‘ të suksesshëm.
RADIO K4: E përmendët promovimin e diversitetit, përgatitjen e gazetarëve për tregun e punës, na trego më gjerësisht si e trajtoni aspektin e diversitetit në departamentin tuaj?
Prof. Remzie: Në departamentin e gazetarisë ju e dini që studimet në Universitetin e Prishtinës janë vetëm në gjuhën shqipe, mirëpo ne synojmë, që është pjesë e politikave të Universitetit të Prishtinës, të inkorporojmë edhe minoritetet. Për shembull, kemi pasur çdo herë pjesëtar të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas. Kemi pasur çdo herë, persona me nevoja të veçanta, të cilët janë shumë të suksesshëm, disa prej tyre tanimë punojnë në media dhe janë etabluar si gazetarë, sidomos në sferën e radios, për shkak që ofron një mundësi të tillë. Por, edhe në përgjithësi, për shembull, kemi pasur edhe studentë të cilët kanë qenë të minoriteteve tjera prezentë në Kosovë, pra turk dhe boshnjak. Ne e ofrojmë edhe provimin pranues në gjuhën turke dhe boshnjake, për të gjithë ata të cilët janë të interesuar. Përmes Universitetit Veror të Prishtinës, ne ofrojmë edhe një shkollë verore, që është në gjuhën angleze dhe ofrohet për studentë ndërkombëtar. Kemi pasur në vitet e fundit, edhe studentë nga Vojvodina nga Serbia por edhe nga Maqedonia e Veriut, Malit të Zi, por edhe gjithandej botës.
RADIO K4: Do të flasim tani për edukimin medial, një fushë shumë e rëndësishme për ju, shumë e njohur për ju. Me zhvillimin e teknologjisë, të rrjeteve sociale dhe mediave të reja, sa e shihni të nevojshëm edukimin medial dhe si qëndrojmë në këtë aspekt? A po bëhet mjaftueshëm që të kemi edukim medial në shkolla?
Prof. Remzie: Ne si departament kemi synuar dhe e kemi parë shumë moti nevojën e posedimit të një lënde në kuadër të kurrikulës shkollore në të gjitha nivelet, jo vetëm në nivelin universitar por edhe atë para fillor dhe fillor, për shkak pikërisht të trendeve të zhvillimit në të cilat ne po jetojmë. Ne kemi synuar që nga viti 2010, që të bëjmë një presion të hapur tek Ministria e Arsimit dhe akterët tjerë relevantë për futjen e edukimit medial në kuadër të kurrikulës shkollore. Kemi arritur që në vitet e fundit të prezantohet si lëndë zgjedhore në kuadër të arsimit fillor dhe të mesëm, mirëpo ne nuk do të kënaqemi vetëm me këtë por do të vazhdojmë të bëjmë presion që kjo të jetë një lëndë obligative. Edukimi medial është një term gjithëpërfshirës, nuk nënkupton vetëm aspektin e perceptimit të mediave, por edhe çfarë bëjmë ne njerëzit me mediat. Pra, si ti shfrytëzojmë ato në jetën tonë të përditshme dhe besoj që periudha e pandemisë, ka qenë një periudhë që ka dëshmuar tash më shumë se kurrë nevojën permanente për ta pasur edukimin medial pjesë të jetës sonë. Në vitet e fundit, pra në vitin 2019, kemi filluar një pilot projekt me UNESCO-n dhe kemi implementuar përmes Sindikatës së Bashkuar për Arsim (SBASHK) dhe kemi trajnuar deri më tani diku 1500 mësimdhënës, në edukimin medial. Kjo vetëm për faktin që në njëfarë forme të jetë një përhapje sa më e gjerë dhe të bëhet pjesë e diskursit publik, çështja e edukimit medial.
RADIO K4: Flasim tani për disa nga lëndët në të cilat ligjëroni ju. Në njërën prej tyre, ju tashmë jeni bërë e njohur bashkë me studentët për realizimin e disa videove sensibilizuake për tema të ndryshme që trajtoni. Na tregoni më shumë rreth këtyre videove sepse edhe janë shpërndarë shumë në rrjetet sociale dhe kanë mesazhe shumë të mira?
Prof. Remzie: Po, në kuadër të lëndës Marrëdhënie me Publikun, që është e ndarë në dy pjesë, unë synoj që studentëve të ju jap shkathtësinë e të folurit publik ndërsa në pjesën e dytë merremi me marrëdhëniet me publikun apo PR-in e institucioneve dhe në këtë pjesë bëjmë projekte, pra organizimin e video-kampanjave të cilat janë vetëdijësuese dhe informuese dhe unë gjithmonë synoj që të prek tema të cilat janë tabo, e për të cilat jo shpesh shohim në media ose diskutohen në shoqërinë tonë. Kështu që, për çdo vit përzgjedhim tematika që janë aktuale. Deri më tani, kemi arritur të promovojmë disa tema për shembull për çështje gjinore, pasi që çështjet gjinore dhe të drejtave të njeriut, janë disa prej tematikave ende jo të promovuara mjaftueshëm në Kosovë. Unë synoj që gjithmonë, ta kem theksin aty. Këtë vit janë lansuar diku 3-4 kampanja, mirëpo janë në proces disa të tjera deri në përfundim të semestrit. Kemi pasur një kampanjë për depresionin post-natal, një aspekt i depresionit që shumë gra dhe burra por edhe shoqëria pothuajse janë të pa informuar.
RADIO K4: Na trego më shumë rreth bashkëpunimit tuaj me KFOR-in dhe për aktivitetet e përbashkëta që keni organizuar?
Prof. Remzie: Ne si departament kemi synuar gjithmonë që të kemi bashkëpunim me të gjitha organizatat ndërkombëtare, prezentë në Kosovë. Pastaj edhe me korin diplomatik në Kosovë. Me KFOR-in, gjithmonë kemi pasur një bashkëpunim shumë të afërt, kemi pasur shkëmbime pothuajse prej fillimit kur jemi themeluar si departament. Në kohën e fundit ky bashkëpunim pothuajse është intensifikuar. Kemi pasur komandantë të KFOR-it për ligjërata para studentëve tanë, me idenë e shkëmbimit të përvojave tona, me idenë e njoftimit të studentëve dhe popullatës për punën që ka dhe promovimin e punës së mirë që bën KFOR-i në Kosovë, por edhe njëkohësisht në një shkëmbim idesh se shpesh herë nga këto biseda mund të rrjedhin edhe ide që janë shumë të mira për bashkëpunime të mëtutjeshme. Ne kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë me zyrën për promovimin e diversitetit dhe barazisë gjinore në kuadër të KFOR-it dhe kemi arritur që të krijojmë një focus grup, për të shkëmbyer ide për kampanjat informuese që bëhen në kuadër të departamentit të mediave në kuadër të KFOR-it.
RADIO K4: Profesoreshë, përmendët Radion e UP-së, na trego se si funksionin kjo radio?
Prof. Remzie: Në përvjetorin e 50-të të themelimit të Universitetit të Prishtinës, ne kemi lansuar Radio UP. Kjo radio funksionin me rotacion, ne marrim diku 2-3 studentë dhe ata punojnë për një kohë të caktuar. Nuk kemi frekuencë nacionale si radio, por operojmë online dhe besoj që mundësia që ofrohet e mediave online, është shumë e mirë sepse ofron mundësi të mirë për studentë dhe arsyeja pse e kemi bërë këtë rotacion, është që secili prej studentëve të ketë mundësinë e punës dhe një praktike të vogël, e pse jo ky pastaj është edhe një lloj orientimi për të ardhmen, se a dëshirojnë ata të përcaktohen për radio, televizion apo media të shkruara apo media online, ky është plotësisht vendim i tyre. Nuk kemi ndonjë emision që kemi krijuar deri më tani, por besoj që së shpejti do të funksionalizojmë.
RADIO K4: Kemi mësuar se një studim i kryer nga një kolegë i juaji në departamentin e gazetarisë, ka treguar që Radio KFOR-i është cilësuar si radio më e besueshme dhe më e dëgjuar në Kosovë. Na trego më shumë rreth këtij studimi?
Prof. Remzie: E vërtetë. Njëri nga kolegët tanë në kuadër të punimit të tij të doktoratës, e ka bërë një studim të tillë me disa respodentë dhe ka rezultuar që Radio KFOR-i, është nga radiot më të dëgjuara dhe më të besueshme dhe mendoj që kjo vjen edhe si rezultat që prezenca e KFOR-it në Kosovë, jep një siguri jashtëzakonisht të madhe për qytetarët e Kosovës dhe KFOR-i është një nga institucionet më të besueshme në Kosovë, kështu që kjo ka bërë që edhe Radio KFOR-i të jetë një radio e preferuar ,sidomos nga të rinjtë, një radio që ofron diversitet për të gjitha moshat por edhe ofron perspektivë të rëndësishme për të rinjtë në Kosovë.
RADIO K4: Profesoreshë, përmende pandeminë dhe sfidat me të cilat jemi përballur. Si keni funksionuar gjatë kësaj kohe sa i përket procesit mësimor dhe mësimit online?
Prof. Remzie: Edhe këtu mund të them pa modesti dhe me shumë krenari, që kemi qenë nga departamentet e para që kemi filluar mësimin online. Kemi filluar mësimin online, menjëherë në ditën e parë të mbylljes totale nga pandemie. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me performancën tonë si departament por edhe si fakultet. Mund të them se jemi departamenti që ka mbajtur më së shumti mësim online gjatë pandemisë në gjithë UP-në, kjo si rezultat i matjeve që janë prezentë në platforma që tregojnë matjet e tilla.
RADIO K4: Profesoreshë ju vazhdimisht punoni me të rinj. Cili është mendimi juaj në përgjithësi për rininë e Kosovës dhe cili është mesazhi juaj për të rinjtë?
Prof. Remzie: Unë mendoj që ne si Kosovë, kemi rini të mrekullueshme. Janë të rinjtë të cilët janë shumë kërkues, entuziast. Rinia e Kosovës duhet të dinë e ta çmojnë lirinë që e kanë, duhet të dinë ti çmojnë mundësitë që ofron teknologjia. Për shembull, sot nuk është e nevojshme të jemi fizikisht diku, ne mund të bëjmë punë të jashtëzakonshme, studime, hulumtime edhe pa qenë prezent diku. Sot bota ofron dhe tregu duhet të shihet si një treg global dhe gazetarët tonë të ardhshëm të mos koncentrohen vetëm në Kosovë, por të shohin gjithandej. Të rinjtë tanë janë të mirë dhe të përgatitur, por duhet të investojnë shumë në edukimin e tyre, në përforcimin e njohurive të tyre, duhet gjithsesi ta dinë një gjuhë të huaj së paku. Ne e dimë që të rinjtë tanë shumica flasin anglisht, por ne jetojmë në një ‘’fshat të madh global’’ që e ka thënë, Marshall McLuhan dhe duhet të nisemi prej asaj që të përgatitemi për tregun botëror dhe jo të koncentrohemi vetëm në Kosovë. Unë shpresoj shumë që gjeneratat e reja, do të jenë shumë të mirë se që kemi qenë ne si mësimdhënës dhe ata janë e ardhmja që do të bëjnë ndryshimin në Kosovë.