Këtë të diel, më 28 mars “Pylli i Arinjve – Prishtina”, feston ditëlindjen e tetë e cila lidhet edhe me datën e shpëtimit të arushës së parë, të cilin e kanë pagëzuar me emrin Kassandra, të cilën e kishin shpëtuar nga jeta në kushte të mjerueshme, në vitin 2013. Pas arushës Kassandra, u shpëtuan edhe 19-të arinj të tjerë, të cilët mbaheshin privatisht në kushte aspak të mira.
Për të ditur më shumë se çfarë organizohet në ditëlindjen e tetë të “Pyllit të Arinjve”, Radio KFOR-i kontaktoi, zyrtarin për komunikim dhe marketing, Taulant Hoxha: “Në atë ditë, ne do të bëjmë ecjen tradicionale nga Prishtina tek “Pylli i Arinjve”, e që quhet “Ecja për Kassandrën”, pra i dedikohet personazhit tonë kryesor. Ne do të promovojmë edhe një libër me ilustrime për fëmijë “Arinjtë dhe Bota e Tyre e Mahnitshme”, i punuar nga ekipi i “Pyllit të Arinjve”. Dëgjuesit e juaj i njoftojmë se hyrja për të gjithë vizitorët do të jetë pa pagesë si dhe do të ketë edhe aktivitete të tjera të cilat do të organizohen aty për aty.”
“Ecja për Kassandrën”, e cila përfshinë një distancë prej 22 kilometrash, do të filloi nga Hyrja e Gërmisë, këtë të diel, më 28 mars, nga ora 08:30 minuta.