Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 21 Marsin, si ‘Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve’, për të rritur kështu ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve që janë ndër ekosistemet më komplekse në tokë dhe një burim i çmuar me rëndësi ekonomike, mjedisore e sociale për njeriun. Z. Nazmi Hasanramaj nga ‘Klubi Alpin Prishtina’, përmes frekuencave të Radio KFOR-it thekson rëndësinë jetësore që kanë pyjet dhe mbrojtja e tyre:
“Çdo vit tema e kësaj dite merr konotacion të ri, duke shtuar ‘’Pyjet dhe Energjia’’, “Pyjet dhe Agrikultura’’, ‘’Pyjet dhe Qytetet e Qëndrueshme”, e tema këtë vit është ‘’Pyjet dhe Biodiversiteti’’. Tendenca në vendet e zhvilluara është që ky koncept të artikulohet edhe si formë edukimi në shkolla dhe institucione tjera, në mënyrë që shoqëria të ketë rol aktiv në ruajtjen dhe shtimin e sipërfaqeve pyjore. Këta popuj e dinë se jeta e tyre është e lidhur direkt me pyje dhe këtë e vërteton vet deklarata e Kombeve të Bashkuara, ku theksohen fjalët: ajër, ujë, ushqim, banim. Kosova ende nuk e ka një strategji të mirëfilltë për mbrojtjen e pyjeve dhe është nevojë urgjente ruajtja e pyjeve, pyllëzimi gradual dhe me strategji të mirëfilltë si dhe ngritja e vetëdijes për rëndësinë e pakontestueshme të shtresës pyjore në vendin tonë.”
Kosova llogaritet ndër vendet e pasura me sipërfaqe pyjore, ku rreth 46% e sipërfaqes është e mbuluar me pyje, ndërsa në nivel global pyjet mbulojnë 1/3 të sipërfaqes së tokës dhe janë shtëpia e 70% të bimëve dhe kafshëve që ekzistojnë momentalisht. Pyjet brenda vitit i pastrojnë rreth 2.1 gigaton të dioksidit të karbonit. Ky proces është fundamental për rregullimin e ciklit të dioksidit të karbonit në tokë dhe rujtjen e balancit klimaterik.