Qendra e drejtuar nga komuniteti në Prishtinë, Termokiss, sot (11 tetor), nga ora 18:00, organizon një punëtori muzikore e cila fokusohet në trajtimin delikat të aspekteve të ndryshme të audio-produksionit.
Në kompjuter është e instaluar Ableton Live, ku të interesuarit mund të eksperimentojnë me muzikë elektronike. Por, për të ditur më shumë rreth këtij aktiviteti, Radio KFOR-i ka kontaktuar me anëtarin e Termokiss-it, Gent Thaçi:
“Punëtoria që do të realizohet sot është rreth një instrumenti digjital , njëjtë siç është kitara dhe siç janë edhe instrumentet e tjera muzikore, e njëjtë është edhe Ableton, pra edhe pse është një softuer e luan rolin e njëjtë për performance live. Është një qasje moderne, është një mundësi shumë e mirë për ta shfrytëzuar kompjuterin, për të krijuar muzikë.”
Përveç aktivitetit të lartpërmendur, në Termokiss organizohen aktivitete të ndryshme për të rinj, ku brenda një viti organizohen pothuajse 250 aktivitete.
E, fare në fund, Gent Thaçi pati edhe një porosi për gjithë të rinjtë:
“Iu bëj thirrje të gjitha komuniteteve që të vijnë në Termokiss, ku së bashku do t’i shfrytëzojmë hapësirën për të krijuar ide të reja për shoqërinë tonë.”