“Në botë është vetëm një e vërtetë universale, e aplikueshme për të gjitha vendet, kulturat dhe komunitetet: Dhuna kundër grave nuk është asnjëherë e pranueshme, asnjëherë e arsyetueshme dhe asnjëherë e tolerueshme”.
Një mesazh i tillë është përçuar edhe dje gjatë Punëtorisë “Roli i mediave në rritjen e vetëdijesimit lidhur me dhunën kundër grave dhe dhunën në familje”, organizuar nga Këshilli i Evropës, Zyra në Prishtinë, në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Qëllim kryesor i kësaj punëtorie që bëri bashkë përfaqësues të mediave nga komuniteti shqiptar dhe ai serb, ishte që të rritet vetëdijesimi i mediave për rolin e tyre në avancimin e barazisë gjinore, përfshirë ngritjen e vetëdijes kundër dhunës ndaj grave dhe dhunën në familje. Menaxherja e këtij projekti nga Këshilli i Evropës, Merita Limani, për Radio KFOR-in tha se çështje të tilla janë të përbashkëta për gjtihë shoqërinë.
“Çështja e dhunës në familje dhe dhunës kundër grave, përfshirë stereotipet dhe seksizmin nuk janë çështje e grupeve të veçanta në vend. Për Këshillin e Evropës, vëmendja në këtë punëtori ishte që të kishte përfaqësues nga të gjitha mediat në Kosovë, pavarësisht backgroundit të tyre apo gjuhës së tyre. Ishte e rëndësishme që këta përfaqësues të mediave janë bërë të gjithë bashkë në një punëtori ku po diskutohen standardet ndërkombëtare që mbështesin luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunën në familje, përfshirë çështjet e stereotipeve në përgjithësi. Sot ne patëm përfaqësues të mediave nga komuniteti shumicë dhe joshumicë. Ne jemi duke punuar afër me Asociacionin e Gazetarëve dhe ftesat u janë dërguar bashkërisht me AGK’në. një gjë që nuk e përmenda në fillim, ne jemi të lumtur që kemi bashkëpunuar me OSBE’në në organizimin e kësaj punëtorie”, tha Limani.
Gratë nuk janë të vetmet që pësojnë nga dhuna në familje, sipas shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorit Jan Braathu. Sipas tij, çështja e dhunës në familje para se të jetë çështje gjinore, është çështje humane.
“Dhuna në familje, të fillojmë duke e sqaruar se ajo prek të gjitha komunitetet në Kosovë. Bazuar në të dhënat statistikore për dhunën në familje nga Policia e Kosovës, nga janari deri në qershor të vitit 2019 janë 784 viktima të dhunës në familje që kanë raportuar rastin në Policinë e Kosovës. Nga këto 784 viktima që kanë raportuar, 614 prej tyre janë gra, ndërsa 117 janë burra. Qysh në fillim duhet të pranojmë që dhuna në familje nuk është veç kundër grave, ka të bëjë edhe me burrat. Andaj do të duhej të kishim më shumë burra rreth kësaj tavoline….dhuna në familje nuk është çështje e grave, po çështje njerëzore, andaj meshkujt duhet të përfshihen dhe të marrin përgjegjësi. Pra, viktimat e dhunës në familje shumica janë gra, por ka edhe burra dhe djem. Duhet ta dimë këtu. Kjo është çështje e shoqërisë, çështje njerëzore”.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, raportimet e rasteve të dhunës në familje ndër vite janë rritur. Gjatë vitit 2018 janë raportuar 1400 raste të dhunës në familje, gjatë vitit 2017 janë raportuar 1279 raste, ndërsa 1247 raste janë raportuar gjatë vitit 2016. Kjo dëshmon se vazhdimisht po rritet vetëdijesimin e grave për raportimin e dhunës ndaj tyre dhe dhunën në familje.