Pastrimi është një punë e vështirë, mirëpo në kohën e COVID-19, mirëmbajtja e pastërtisë është rënduar edhe më shumë, ku përveç pastrimit kërkohet edhe aplikim dhe ri-aplikim i dezinfektuesve në sipërfaqet që njerëzit prekin në mënyrë të përsëritur. Duke pasur parasysh që njerëzit ishin të izoluar dhe kontejnerët ishin të stërmbushur me mbeturina, padyshim që edhe pastruesit e kompanisë regjionale Prishtina, ishin heronjtë tanë. Për të folur për rëndësinë e punëtorëve sanitar, Radio KFOR-i ka kontaktuar zëdhënësen në ndërmarrjen e pastrimit regjional ‘Prishtina’, znj. Arbnora Ademi: “Në gjithë Kosovën, sigurisht që ka qenë një situatë e vështirë, mirëpo i vështirë ka qenë edhe menaxhimi i gjithë punëtorëve të pastrimit regjional Prishtina. Jemi munduar që gjatë gjithë kohës ti grumbullojmë mbeturinat, ti ndihmojmë qytetarët tanë dhe të përfundojmë punën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Po ashtu duhet të theksoj që ekipet e kompanisë së pastrimit, vazhdimisht kanë punuar dhe kanë larguar mbeturinat edhe në hapësirat e rrezikuara të spitalit të QKUK-së, në qendrën e studentëve ku ka qenë edhe karantinimi i një shumice të qytetarëve dhe po ashtu kanë kryer edhe grumbullimin e mbeturinave tek shtëpitë e qytetarëve të prekur me Covid-19.”
Znj. Ademi, gjithashtu shtoi se ky biznes i mirëmbajtjes së pastërtisë nuk është i lehtë për tu punuar në kohëra të tilla, mirëpo punëtorët e pastërtisë ndihen krenarë me punën e tyre sepse ata janë pjesë e diçka më të madhe, meqë po i ndihmojnë njerëzit të qëndrojnë të sigurt dhe të jenë të shëndetshëm.