Nëntë programere të reja do të punojnë në një program për të dizajnuar zgjidhje digjitale për grumbullimin e të dhënave në fushën e Arsimit dhe Edukimit në Kosovë.
Projekti Tech4Policy ka synim që përmes teknologjisë të nxisë punësim të grave të reja të cilat janë të dalluara në sektorin e teknologjisë informative.
Projekti zbatohet nga Open Data Kosovo dhe më 31 janar është duke organizuar një sesion të hapur informues për të gjitha palët që preken nga arsimi.
Ky projekt ka zgjuar edhe interesimin e qytetarisë aktive dhe në këtë ngjarje pritet që të diskutohet për idetë më të mira për digjitalizimin e të dhënave për arsim nëpër komuna.
“Ky projekt ka interesim nga gratë e reja, pasi që në të kanë qenë të përfshira gjithsej 250 vajza, prej të cilave në të dy fazat e projektit janë zgjedhur 18 vajza, ku 9 prej tyre tashmë punojnë për këtë ngjarje”, Blerta Thaçi, drejtoreshë ekzekutive e Open Data Kosovo i tha radio KFOR-it.
Projekti ka për qëllim përmirësimin e qeverisjes nëpër komunat e Kosovës dhe në të njëjtën kohë edhe punësimin e grave të reja në sektorin e teknologjisë informative. Projekti është donacion i Bashkimit Evropian dhe implementohet nga Open Data Kosovo dhe Girls Coding Kosova.
Projekti ka nisur në vitin 2017 ndërsa tani është në pjesën përfundimtare.