Pastërtia dhe higjiena, nuk kanë qenë asnjëherë më shqetësuese sesa përgjatë pandemisë COVID-19, ku u shfaq një kërkesë e përshkallëzuar për të pastruar dhe dezinfektuar të gjitha hapësirat publike, qendrat e ndryshme, shkollat, ndërtesat kolektive, zyrat etj. Kjo kërkesë e madhe çoi në rritjen e rreziqeve, me të cilat u përballën punëtorët e pastrimit dhe të mirëmbajtjes.
Kësaj sfide globale nuk i shpëtoi as menaxheri i kompanisë së pastrimit, Labinot Sherifi, i cili për Radio KFOR-in tregoi përkushtimin e tij, ndaj mirëmbajtjes së pastërtisë: “Ne si kompani e pastrimit, mund të them se gjatë pandemisë e kemi dhënë maksimumin tonë. Kemi pasur edhe momente të vështira, por me vullnetin tonë për punë e kemi tejkaluar. Në fakt, problemet më të mëdha janë me ata persona që nuk janë mësuar të jetojnë në ndërtesa kolektive.”
Kujdesi, pastrimi dhe dezinfektimi i rregullt mund të ndihmojë në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve, duke përfshirë edhe virusin COVID-19.